Mariam al-Najar, një studente 24-vjeçare nga Khan Younis në Rripin e Gazës, priste një mesazh që mund t’i ndryshonte jetën.

Dy javë pasi aplikoi për një bursë në Universitetin e Cassino-s dhe Lacios Jugor në Itali, ajo mori një email që për një moment i dha ndjesinë se vitet e studimit më në fund po shpërbleheshin. Universiteti e njoftoi se ishte pranuar në programin master për ekonomi dhe menaxhim.

Për Mariamin, pranimi ishte një nga pak momentet e shpresës gjatë një periudhe të gjatë dëshpërimi.

“Pranimi ishte si një rreze drite që u shfaq papritur dhe më dha sërish ndjesinë e jetës dhe shpresës”, tha ajo për Al Jazeera. “Aplikoja për bursa ndërsa ndihesha thellësisht e pashpresë dhe nuk e prisja kurrë që të pranohesha.”

Por pranimi në universitet hapi një seri të re vështirësish për studenten nga Gaza. Sfida kryesore nuk ishte sigurimi i vendit në universitet, por dalja nga Gaza dhe mbërritja në Itali.

Italia është kthyer në një nga destinacionet kryesore për evakuimin e studentëve palestinezë nga Gaza gjatë viteve 2025-2026. Rreth 229 studentë u evakuuan nga Gaza para majit 2026, ndërsa një grup tjetër prej rreth 40 studentësh u largua në qershor të po këtij viti.

Një nga arsyet e interesit të lartë për universitetet italiane lidhet me kostot më të ulëta të jetesës dhe studimit krahasuar me shumë vende të tjera evropiane. Në Itali, kostoja vjetore për studentët llogaritet rreth 10 miijë e 200 euro, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar mund të arrijë nga 30 mijë deri në 60 mijë paund në vit.

Për Mariamin, megjithatë, problemi kryesor nuk ishte kostoja, por pamundësia për të udhëtuar për shkak të kufizimeve të vendosura mbi Gazën.

“Pranimi ishte vetëm fillimi i rrugëtimit. Ka ende shumë hapa dhe sfida që duhet të kapërcehen”, tha ajo.

Ajo aplikoi për vizë dhe e mori miratimin, më pas kontaktoi disa organizata që mund ta ndihmonin për udhëtimin drejt Italisë. Por kufizimet izraelite për lëvizjen, të përforcuara edhe më tej pas luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, kanë bërë që ajo ende të mos marrë lejen për t’u larguar nga Gaza.

Kjo ka vënë në pikëpyetje mbërritjen e saj në kohë për fillimin e semestrit të vjeshtës.

Çdo ditë që kalon në Gazën e rrethuar për Mariamin nënkupton humbje të mundësive të reja, veçanërisht në një kohë kur sektori arsimor dhe infrastruktura arsimore në enklavë janë dëmtuar rëndë.

“Duket sikur kjo nuk është më vetëm një rrugë drejt arsimit, por është kthyer në një sfidë të madhe. Shumë studentë i kanë parë aplikimet për viza të refuzuara disa herë dhe përballen me pengesa që i ndalojnë të udhëtojnë dhe të vazhdojnë studimet jashtë vendit”, tha ajo.

“Pas vitesh përpjekjesh dhe mbajtjes së shpresës, humbja e kësaj mundësie ose shtyrja e studimeve është kthyer në një makth që kam frikë se mund të bëhet realitet.”

Sipas saj, bursa nuk është vetëm një mundësi arsimimi, por një rrugë drejt një të ardhmeje të re.

“Pas çdo aplikimi dhe çdo burse është një student me një ëndërr, që thjesht përpiqet të mos humbasë të ardhmen”, tha ajo.

Ministria e Jashtme italiane ka deklaruar se bashkëpunon me universitetet për të lehtësuar udhëtimin e studentëve nga Gaza drejt Italisë.

Megjithatë, sipas profesores Giovanna Citti nga Universiteti i Bolonjës, pengesa kryesore nuk është pranimi në universitet, por përballimi i një burokracie komplekse për të dalë nga Gaza dhe për të hyrë në Itali.

“Studentët janë të kualifikuar akademikisht dhe shumë të motivuar. Problemi nuk është aftësia e tyre për të studiuar, por krijimi i një rruge të qartë dhe të besueshme për të arritur në universitetet e tyre”, tha ajo.

Rrugëtimi drejt universitetit

Përballë vështirësive të shumta, janë krijuar iniciativa që synojnë të ndihmojnë studentët palestinezë të vazhdojnë arsimin jashtë Gazës.

Një prej tyre është Gaza40+, e cila ka regjistruar më shumë se 1 mijë e 200 studentë palestinezë që kërkojnë ndihmë për të vazhduar studimet jashtë territorit. Shumë prej tyre rrezikojnë të humbasin bursat ose vendet universitare nëse nuk arrijnë të mbërrijnë brenda afateve të regjistrimit.

Më shumë se 500 studentë kanë marrë oferta nga universitete në Evropë, ndërsa të tjerë vazhdojnë të marrin mbështetje gjatë procesit të aplikimit.

Sipas organizatës, rreth 120 studentë janë ndihmuar të largohen nga Gaza për të vazhduar studimet jashtë vendit, së bashku me 20 familjarë që kanë udhëtuar me ta.

Megjithëse qindra studentë kanë siguruar pranime dhe bursa, largimi nga Gaza mbetet pengesa më e madhe.

Gaza40+ thotë se mungesa e një rruge të qëndrueshme humanitare për daljen e studentëve drejt universiteteve jashtë vendit është një nga problemet kryesore.

Në Itali, disa studentë janë informuar së fundmi se duhet të dëshmojnë njohjen e gjuhës italiane përpara se të konsiderohen për evakuim nga Gaza. Ndërsa autoritetet e konsiderojnë këtë kërkesë të nevojshme, për studentët që ndodhen në një krizë të rëndë humanitare ajo përbën një pengesë tjetër.

“Studentët nuk po humbasin mundësitë për shkak të aftësive të tyre akademike apo përkushtimit. Ata po i humbasin për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të tyre”, tha Nasser Taha nga Gaza40+.

Studentja Doaa Fawzi Hamdan, e pranuar në Universitetin e Bolonjës, tha se bursa i kishte dhënë mundësinë të vazhdonte arsimin pas tre vitesh ndërprerjesh në Gaza.

Pavarësisht se ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, ajo ende pret vizën italiane.

“Pjesa më e vështirë është të pranohesh në një universitet, por të mos dish nëse do të arrish atje në kohë”, tha Doaa. “Ne nuk kërkojmë trajtim të veçantë. Kërkojmë vetëm mundësinë për të arritur në universitetet tona dhe për të nisur studimet, si studentët kudo në botë.”

/tvklan.al