Energjia e gjelbër po zë një peshë gjithnjë e më të madhe në Bashkimin Europian. Sipas Eurostat, në tremujorin e parë të këtij viti, 45.5 për qind e energjisë elektrike u prodhua nga burime të rinovueshme, nga 42.7 për qind një vit më parë.

E njëjta prirje po shfaqet edhe në Shqipëri. Të dhënat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit tregojnë se prodhimi i parqeve fotovoltaike është rritur çdo muaj.

Nga 29 mijë e 599 megavat-orë në janar, ajo arriti në 42 mijë në shkurt, 69 mijë në mars dhe 83 mijë megavat-orë në prill. Në katër muaj, centralet diellore prodhuan mbi 225 mijë megavat-orë energji.

Kontributin më të madh e dha parku fotovoltaik i Karavastasë, i cili e trefishoi prodhimin nga 7 mijë megavat-orë në janar në 25 mijë në prill.

Megjithatë, energjia diellore mbetet ende një pjesë e vogël e prodhimit kombëtar. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria prodhoi 1 milion e 339 mijë megavat-orë energji në janar, ndërsa në prill prodhimi zbriti në 946 mijë megavat-orë, duke reflektuar varësinë e sistemit nga hidrocentralet.

Krahasuar me rajonin Shqipëria dhe Serbia mbeten prodhuesit kryesorë të energjisë. Por, ndryshe nga Serbia, prodhimi në Shqipëri shfaq luhatje më të mëdha sezonale, për shkak të varësisë nga hidrocentralet.

Rritja e prodhimit nga fotovoltaikët tregon se miksit energjetik shqiptar po i shtohet gradualisht një burim më i qëndrueshëm, duke ulur varësinë nga reshjet dhe duke e afruar vendin me modelin europian të diversifikimit të energjisë së gjelbër.

Tv Klan

/tvklan.al