Një konflikt i hershëm fisnor për çështje pronësie në fshatin Razmë ka qenë në qendër të përballjes së radhës në rubrikën “Shihemi në Gjyq” te “E Diela Shqiptare”. Nikolini ka marrë në ndërmjetësim Gjysten, vajzën e xhaxhait të të atit, për të kërkuar të drejtën e tokës së trashëguar nga të parët, e cila sipas pleqësisë së zonës ishte ndarë në mënyrë të barabartë.

Sipas pretendimeve të paraqitura gjatë seancës, familja e Gjystes, duke mos pasur një djalë, kishte marrë Marien si “burrneshë” për të mbajtur derën e shtëpisë hapur, duke e përfshirë edhe atë në pjesën e pasurisë. Mirëpo, sot Marie Qarri rezulton pronare e vetme e kësaj toke, diçka që Nikolini e cilëson si rezultat të një certifikate të falsifikuar dhe të marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Juristja Eni Çobani ka reaguar ashpër ndaj situatës, duke sqaruar se dokumentet e përdorura bien në kundërshtim të plotë me vendimet e pleqësisë dhe dokumentacionin e Komisionit të Kthimit të Pronave. Çobani paralajmëroi se çështja do të ndiqet deri në fund, duke e bërë të qartë se certifikata aktuale e pronësisë nuk do të qëndrojë në fuqi.

“Atëherë në këto kushte meqenëse ky vendim është prodhuar një vit përpara kësaj, pra është prodhuar një vit, kjo është 99, kjo është 2000, atëherë në këto kushte kemi një vendimmarrje shumë të afërt që thotë komplet të kundërtën. Në dokumentin e Sterkajt del Lulashi, në dokumentin e pleqësisë dalin dy familjet. Në këto kushte duhet goditur ky dokument. Në qoftë se nuk është firma e zotit Sterkaj del i falsifikuar. Duhet filluar me komisionin e kthimit të pronave ku të goditet e te dosja e kësaj prone, por edhe sikur mos bëhet asgjë nga këto.”

Çobani ka ftuar publikisht edhe zyrtarët e përfshirë në hartimin e këtyre dokumenteve që të përballen me faktet, ndërsa ka garantuar se pasuria do t’u rikthehet trashëgimtarëve të ligjshëm sipas dokumenteve origjinale.

“I kam thënë zonjës Marie Qarri, Marie me gjithë dashurinë që të kam folur privatisht, më ke thënë me shumë ashpërsi, mos më telefono më se nuk të përgjigjem. Zonjë, ti ke marrë këmbët, ke vajtur në një televizion tjetër, i ke bërë video këtyre njerëzve me orë dhe i ke nxjerrë publikisht. Atëherë kanë po të njëjtën të drejtë dhe këta njerëz të vijnë të të thërrasin publikisht dhe nuk ke pranuar se të kam marrë unë personalisht dhe të kam thënë Marie më dëgjo mirë, sepse çfarëdo lloj veprimi të kesh bërë unë do t’i bëj qilizmë që nga dita e parë deri ditën e fundit dhe po të paralajmëroj ty, policinë e Razmës, policinë e Velipojës për të gjitha veprimet e kundra ligjit.

Djali ju ka telefonuar tre ditë rresht dhe ti i thua që rri atje se nuk të përgjigjem dhe i shkon me vrap zonjës Qarri. Kjo është e papranueshme në qoftë se ka ndodhur, por për t’i vënë kapak asaj bisede po i them Maries dhe në qoftë se e ke blerë edhe në qoftë se ke dhënë 15 milion le të vjetra, ke blerë vetëm pronën emri e Petalit që ka vetëm gjysmën e pasurisë dhe 1/4 e Lulashit, 1/4 në vazhdim e ka Nikolini, e ka kjo Gjysja e ka halla tënde.

Kështu që certifikata do dali absolutisht e pavlefshme, do kthehet prona në origjinë, do marrim të gjithë dokumentet përfshirë dhe zotin e nderuar Sterkaj që nuk mbante mend asnjë qytetar të Razmës. Uroj që këto emrat që unë kam përmendur zoti Sterkaj t’i njoh dhe e pres privatisht sërish, publikisht, në çfarëdo lloj vendi për të zgjidhur këtë problem. Pronarë do bëhen fëmijët e Tom Marashit sipas asaj që kanë shkruar këta burra të mençur me këtë fotografi, me gjithë respektin që janë mbledhur dhe kanë bërë një institucion në këtë zonë dhe kanë prodhuar një dokument.”

/tvklan.al