Deri në fund të vitit 2012 interesat e afro 5 mijë kredive për apartamente do të subvencionohen nga shteti.

Kjo për qytetarët e pastrehë apo për ata që janë strehuar në ish-prona private, pothuajse gjysma e këtyre financimeve përfitojnë kredi me interesa zero. Pjesa tjetër do të marrë kredi me interes 3% në vit.

Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko, jep detajet se si po aplikohet ky proces.

Ilir Proko: “Në rast se do t’i referohemi programit të kreditimit kemi dy kategori përfituesish, një kategori është përfituesit e gjithë familjeve të cilët jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, për të cilët shteti subvencionon dhënien e kredisë së zbutur me afat likuidimi për 30 vjet me interes 0% dhe një procedurë tjetër është pjesa e subvencionimit të interesave të kredisë për të gjithë kategorinë e familjeve të tjera për të cilët miratohen nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak, por në këtë rast përfituesit e familjeve të pastrehë do të përfitojnë kredi me 3% dhe me një afat të shlyer deri në 30 vjet.”

Por, çfarë procedure duhet të ndjekin qytetarët për të përfituar nga ky proces?

Ilir Proko: “Ata duhet t’i drejtohen bashkisë përkatëse, ku ata janë të regjistruar si qytetarë të pastrehë, duhet të ketë kërkesën për përfitimin e kësaj kredie, duhet të ketë vërtetimin e banimit në zonën ku ai banon, një certifikatë të tij të gjendjes familjare, një vërtetim që do të vërtetohej nga zyra vendore e regjistrimit të pasurve të paluajtshme, ku qytetari nuk posedon pronë të regjistruar apo në proces regjistrimi, një vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, që qytetari nuk përfiton dhe nuk është pjesë e subjektit të TVSH-së, dhe vërtetim mbi të ardhurat e tij mujore neto”

Sipas drejtorit të Entit Kombëtar të Banesave, nisma e Bashkisë së Tiranës për hipotekimin e të gjitha apartamenteve në kryeqytet do ta bëjë më të thjeshtë për qytetarët që përfitojnë nga ky proces.

Kjo pasi banka që do të bëjë financimin e kredisë, kërkon si garanci hipotekën e apartamentit që do të blihet.

Ilir Proko: “Shumë shpejt, qoftë dhe me zgjidhjen e procesit të hipotekimit të banesave, të cilët ka qenë dhe ky një ngërç për sa i përket subvencionimit të kredisë nga banka, sepse duhet të jemi të gjithë transparentë kur themi qytetari për ta përfituar kredinë duhet ta lërë kolateralin ose atë banesë që blen, duhet ta lërë si garanci hipotekore”.

Deri në fund të muajit Gusht kanë përfituar në total kredi të zbutur 1070 familje./tvklan.al