Péter Magyar dhe partia e tij fituese Tisza nuk kanë humbur kohë për të përgatitur kalimin e pushtetit në Hungari, pas humbjes së madhe të Viktor Orbán-it në zgjedhjet e së dielës së kaluar.

Ata siguruan 52% të votave, duke i dhënë fund 16 viteve qeverisjeje të vazhdueshme të partisë së Orbán-it, që përkthehet në 140 vende në Asamblenë Kombëtare me 199 deputetë. Ndërkohë, partia Fidesz e Orbán-it ra nga 135 në 53 vende.

Numërimi i votave pritet të finalizohet këtë të shtunë, përfshirë edhe rishikimet në zonat me rezultat të ngushtë dhe votat e ardhura nga jashtë vendit.

Magyar ka marrë premtim nga presidenti Tamás Sulyok për të përshpejtuar formimin e parlamentit të ri, duke e çuar atë në javën që fillon më 4 maj. Më pas, parlamenti do të zgjedhë qeverinë e re.

Ai ka dhënë gjithashtu intervista të forta për televizionin dhe radion publike, të cilat për dy vite me radhë e kishin injoruar ose sulmuar. Magyar ka premtuar ndryshime ligjore për të pezulluar programet e tyre të lajmeve derisa të emërohen redaktorë të pavarur.

Me një shumicë të madhe parlamentare prej më shumë se dy të tretave, ai planifikon gjithashtu të kufizojë me ligj mandatet e kryeministrit në vetëm dy. Viktor Orbán ka shërbyer tashmë pesë mandate dhe, nëse kjo reformë miratohet, do t’i mbyllej rruga për t’u rikthyer në pushtet.

Orbán reagoi për herë të parë pas humbjes në një intervistë në YouTube, ku tha: “Ky është fundi i një epoke” dhe se duhet pranuar kjo humbje me dinjitet. Ai foli për “dhimbje dhe boshllëk”, duke marrë përgjegjësi personale, por pa dhënë analizë të detajuar të gabimeve të fushatës së tij.

Në Fidesz po zhvillohen diskutime për rinovimin e partisë, ndërsa vetë Orbán ka deklaruar se do të vazhdojë ta drejtojë atë nëse rizgjidhet, por pranojë se partia ka nevojë për “rifreskim të plotë”.

Në intervistë ai përmendi edhe vonesën e projektit bërthamor Paks 2 si një nga arsyet e dështimit.

Ndërkohë, siç shkruan BBC, në parti mbizotëron një atmosferë frike dhe tensioni, me thashetheme për hetime për korrupsion dhe kërkesa për llogaridhënie. Në rrjetet sociale, mbështetësit e Tisza-s kërkojnë ndëshkimin e atyre që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme gjatë qeverisjes së mëparshme.

Në Budapest, posterat e Fidesz janë dëmtuar dhe mbi disa prej tyre është shkruar “Vége” (Fundi), duke treguar rënien e shpejtë të popullaritetit të partisë.

Nga ana tjetër, qeveria e re po përgatit masa për të rikthyer kontrollin institucional dhe për të luftuar korrupsionin, përfshirë krijimin e një zyre për rikuperimin e pasurive të shtetit dhe hetimin e kontratave të dyshimta të firmosura para zgjedhjeve.

Me shumicën e re, Tisza synon të rindërtojë sistemin e kontrollit dhe balancave që, sipas tyre, janë dobësuar gjatë 16 viteve të qeverisjes së Fidesz.

Ekonomia e Hungarisë ndodhet në vështirësi dhe qeveria e re pritet të veprojë shpejt. Ndër prioritetet është edhe diversifikimi i furnizimit me naftë, përmes përdorimit më të madh të një tubacioni alternativ nga Kroacia.

Sipas sondazheve, rreth tre të katërtat e të rinjve 18–29 vjeç kanë votuar për Tisza, duke treguar një ndryshim të madh brezash në politikën hungareze. Një pjesë e kësaj gjenerate ka shprehur mesazhe të forta pro Evropës dhe kundër ndikimit rus.

Ndërkohë, përfaqësues të Komisionit Evropian kanë zhvilluar bisedime në Budapest me ekipin e Magyar-it, në prag të negociatave për zhbllokimin e fondeve të BE-së.

Qeveria e re do të duhet të përmbushë një sërë kriteresh për të siguruar rreth 17 miliardë euro fonde të ngrira më parë, përfshirë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias.

/tvklan.al