Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar këtë të martë, 20 janar, një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Në kallëzim, thuhet se figuron një nënshkrim në emër të kryebashkiakut, sikur ai ka marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor, por pretendimi qëndron se firma nuk është e Veliajt.
Sipas Bashkisë së Tiranës, vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë I.E.V.P. Durrës.
“Mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë“, thuhet në kallëzim.
Kështu, kryebashkiaku përmes këtij kallëzimi kërkon regjistrimin e menjëhershëm të procedimit penal, ekspertim grafik të nënshkrimit, hetimin e zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.
Kujtojmë se seanca paraprake në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e të pandehurve të tjerë, është shtyrë për më datë 19 janar 2026.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.
/tvklan.al












Botërori 2026 
