Diskutimi mbi ligjshmërinë e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe pretendimi për vonesa në kujdesin e tij shëndetësor, përfunduan në Prokurorinë e Tiranës.

Veliaj kallëzoi penalisht Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Në qendër të materialit të dorëzuar në akuzën e Tiranës, është hetimi mbi transferimin e tij nga Durrësi në Fier.

Ligjshmëria e mbajtjes sekret të urdhrit të transferimit dhe vonesat në garantimin e kujdesit shëndetësor.

Kryebashkiaku thotë në kallëzim se kërkon hetimin dhe përcaktimin e përgjegjësive penale të zyrtarëve të përfshirë.

Në 28 tetor, Erion Veliaj u transferua nga paraburgimi i Durrësit ku qëndronte që prej shkurtit 2025 në Fier, një transferim që e kundërshtoi teksa në disa reagime në rrjetin e tij social Facebook, e konsideroi lëvizjen si politike.

Ai po ashtu denoncoi në një prej postimeve që ministri i drejtësisë Toni Gogu, e kishte takuar në paraburgim dhe i kishte kërkuar të linte drejtimin e bashkisë e të pranonte ndikimin në protestat e mbajtura në Tiranë.

Gogu pranoi takimin me Veliajn, por tha se ishte në kuadër të një inspektimi në lidhje me denoncimet e tij sa i takon kushteve në burg.

/tvklan.al