Biznesmeni, Ermal Beqiraj i arrestuar në Francë pak ditë më parë, ka dalë përpara gjykatës ku i është caktuar përkohësisht masa arrest me burg, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Komunikimi i arrestit i hap rrugën autoriteteve shqiptare të nisin procedurat për esktradimin e tij drejt Shqipërisë, ku Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar “arrest me burg” në mungesë.

Beqiraj dyshohet nga SPAK si pjesë e të ashtuquajturës afera e AKSH-it, ku biznemeni përmes kompanisë së tij “soft solution” ka përfituar tendera me vlerë dhjetra miliona euro që sipas prokurorisë kanë qenë të paracaktuar.

Jo vetëm kaq, por hetimet zbuluan se me qëllim përfitimin e sa më shumë tenderave sipërmarrësi në bashkëpunim me persona të tjerë, mes tyre dhe Ergys Agasin kanë marrë peng një kundërshtar të tyre në biznes, vetëm që ai të tërhiqej nga një procedurë prokurimi.

Ermal Beqiraj u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. 

Më pas nga verifikimet rezultoi se bëhej fjalë për sipërmarrësin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

/tvklan.al