Breshëri që preku zonën e juglindjes ka shkaktuar dëme të shumta në bujqësi dhe pemtari.

Banorë të disa fshatrave në Kolonjë thonë se dëme ka në disa kultura bujqësore, ndërsa shprehen se një breshër i tillë nuk kishte rënë prej vitesh në zonë. Ata thonë se i gjithë mundi u ka shkuar dëm.

“Ka bërë shumë dëme në pemtari sidomos. Pemtaria është… mund ta shumëzojmë me zero komplet pasi të gjitha pemët i ka shkatërruar përfundimisht dhe ka bërë shumë dëme në të gjitha të mbjellat si në misër, fasule, grurë, thekër kudo domethënë ka bërë dëme katastrofike.”

“Të gjitha i çoi në zero. Puna e Mars, Prill, Maj, Qershor shkoj dëm e tëra, por më e keqja është se tani në këtë vend dhe në këtë kohë nuk mbillen prap të tjera se kalon koha.”

“Ka bërë dëme të konsiderueshme ja edhe në bimën e fasules që nuk ripërtërihet më, në bimën e domates, në bimën e piperkave, të prasëve dhe në bimën e grurit që është sektori i parë i bujqësisë.”

“Ky breshër nuk ka rënë, nuk e mbaj mend derisa jemi ne, 50 vjet. Pemët i ka krasitur fare, rrushin, kumbullat, mollat, qershitë, të mbjellat.”

Ekipet e Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë janë në terren dhe po verifikojnë dëmet.

Breshëri ra pasditen e së dielës dhe zgjati disa minuta ndërsa u dëmtuan edhe rrugë të disa fshatrave ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati.

Klan News