Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish deputetit Ervin Salianji për lirimin nga burgu. Ish-deputeti i PD-së kërkoi revokimin e dënimit me një vit burg, të dhënë nga Gjykata e Apelit me 27 Shtator të vitit të shkuar.

Seanca e të martës u zhvillua pa praninë e palëve, por vetëm me shqyrtimin e akteve nga gjykata e cila në përfundim dha vendimin për rrëzimin e rekursit. Po ashtu, Gjykata nuk pranoi as kërkesën e gazetarit Jetmir Olldashi, i cili u dënua nga apeli me 6 muaj heqje lirie, por që iu konvertua me 100 orë punë.

Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit u shpall fajtor për kallëzim të rremë, në lidhje me një denoncim për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte  se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohë, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

Por, nga hetimet e rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.

Rrëzimi i rekursit të tij u komentua nga Ervin Salianji në rrjetet sociale. Nga qelia, Salianji shkruan se nuk është i habitur nga ky vendim, i nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama.

Sipas Salianjit, dënimi i tij bëhet për ta eliminuar nga beteja politike pasi në çdo përballje e ka mundur mazhorancën.

Klan News