Sekretariati i Etikës vendosi të përjashtojë dy muaj nga punimet e komisioneve parlamentare dhe seancat plenare kreun e grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi dhe deputetin Klevis Balliu pas tensioneve në seancën e 8 tetorit, kur u votua ndarja e re administrative-territoriale.
Mazhoranca argumentoi se Bardhi ka përdorur fjalë fyese, si dhe ka qëlluar disa herë me shishe uji në drejtim të kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të qeverisë.
Ndërsa Balliu, sipas tyre, ka hedhur vezë dhe ka përdorur pajisje zhurmuese ne sallën e parlamentit. Ky i fundit, i cili mori pjesë edhe në mbledhjen e sekretariatit, e cilësoi vendimin të pabazuar në ligj, i diktuar nga kryeministri Rama.
“Nuk ka asnjë rregullore që përjashton deputetët për dy muaj. Hera e parë në historinë e botës që veza qenka lëndë piroteknike. Unë e dija që vezën e bën pula. Sipas rregullores përjashtohesh nëse përdor lëndë piroteknike. Sipas Manjës dhe të tjerëve, veza qenka lëndë piroteknike. Kjo ka vetëm një qëllim, të godasë grupin e PD-së, reagimin e drejtë që kemi në Kuvend. Çfarë thotë Edi Rama, do të bëjnë”, tha Balliu.
Demokratët argumentuan se Rregullorja e Kuvendit parashikon përjashtim deri në 10 ditë për pengimin e seancës, fyerjet, shkaktimin e kaosit apo goditjet ndaj deputetëve.
Ndërsa masa disiplinore 60 ditë zbatohet vetem në rastet e përdorimit të lëndëve piroteknike apo tymuese.
Ata paralajmëruan ankimim në Byronë e Kuvendit, ku deri në vendimarrjen e saj, deputetët mund të marrin pjesë në punimet e parlamentit.
/tvklan.al












Botërori 2026 