2 nëntor 2026 – Dashuria, poezia dhe emocionet u bënë protagonistët e një momenti të veçantë në emisionin “Rudina”, Tv Klan ku poetja Alma Meraj dhe bashkëshorti i saj, kompozitori Etmond Mancaku, ndanë me publikun një histori të bukur, të mbushur me ndjeshmëri dhe surpriza.
Alma vjen me vëllimin e saj poetik “Kur të më prekësh”, një përmbledhje vargjesh që sjellin përjetime të thella njerëzore, duke prekur tema si dashuria, zhgënjimi, ndjeshmëria dhe përballja me vetveten. Por ky botim mbart edhe një histori të veçantë, pasi ishte pikërisht bashkëshorti i saj, Etmond Mancaku, ai që ia përgatiti si surprizë, pa dijeninë e saj.
Një gjest që e ktheu librin në diçka më shumë sesa një botim poetik: në një dhuratë dashurie dhe vlerësimi për krijimtarinë e saj.
Por këtë herë surpriza erdhi edhe nga vetë Alma. E ftuar së bashku me bashkëshortin në studion e Rudinës, ajo zbuloi se kishte përgatitur një poezi posaçërisht për të, vetëm pak minuta para nisjes së emisionit.
“Para se të vinim, mendova t’i bëja një surprizë të vogël. E bëra një poezi shpejt e shpejt. Ia kam dedikuar Mondit specifikisht për sot, por edhe në përgjithësi për gjithë jetën që kemi kaluar bashkë”, tregoi Alma.
Nën shoqërinë e muzikës në sfond, poetja nisi të recitonte vargjet me titull “Ne të dy”, një dedikim që përmes fjalëve të thjeshta përcillte gjithë historinë e një jete të ndërtuar së bashku, me vitet që kalojnë, fëmijët që rriten dhe dashurinë që mbetet.
“Ku ishim?
Ku jemi?
Në koralet thellësisht masim fundin e detit.
Fëmijët ikën, vetëm mbetëm.
Nga njëri-tjetri kërkojmë më tepër,
vetë ekzistencën tonë në asht.
Çdo ditë më shumë,
çdo ditë më pak.
S’ të thashë kurrë sa xhan të kam, por kur vonohesh
të pres me fytyrën mbi xham.
Të falënderoj që mësuam të ecim bashkë.
Ku ishim?
Ku jemi?
Shtëpia merr frymë me ty pranë.”
Meraj zbuloi se e kishte shkruar atë vetëm për rreth 10 minuta, duke i dhënë edhe më shumë vlerë spontanitetit dhe ndjenjës që përcillte.
/tvklan.al












Botërori 2026 