Eureporter i ka kushtuar një artikull kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bazuar në një letër që vetë ai u ka dërguar, në përmbajtjen e së cilës thuhet se ai nuk e ka humbur ende shpresën.
Veliaj ndërsa e cilëson situatën në të cilën ndodhet si “persekutim politik” ai evidenton se prej 19 muajsh mbahet në paraburgim pa një vendim dënimi.
Ai sjell në vëmendje dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij kanë vënë në pikëpyetje vijimin e paraburgimit dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e çështjes.
“Pavarësisht se kam fituar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, sistemi po e zvarrit pafundësisht dhe po vonon përtej arsyes rishikimin e paraburgimit tim”, shkruan Veliaj.
Veliaj thotë se zgjatja e paraburgimit nuk është ndëshkim vetëm për të dhe familjen e tij, por edhe për qytetarët e Tiranës, teksa në vëmendje sjell dhe arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
“Edhe ata po privohen nga e drejta për t’u shërbyer nga kryebashkiaku i tyre i zgjedhur demokratikisht. Kështu, demokracia e Shqipërisë është dënuar pa urdhër gjykate, njësoj si miku im Ekrem Imamoglu në Stamboll”, shkruan Veliaj.
Më 15 shtator, ankimi i Veliajt do të shqyrtohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në dhomë këshillimi, me tre gjyqtarë, ku avokati i kryebashkiakut është shprehur optimist për një vendim lirimi.
Megjithatë pavarësisht këtij optimizmi nga përfaqësuesi i tij ligjor, vetë Gjykata e Lartë nuk ka pranuar të japë komente mbi rezultatet e këtij procesi.
Çështja Veliaj, ka marrë vemendje jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë kufinjve të saj, ku disa organizata kanë reaguar mbi arrestimin e kryebashkiakut si dhe hetimin që po zhvillohet ndaj tij.
/tvklan.al












Botërori 2026 