Edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian është regjistruar tashmë në librat e historisë. Turneu i zhvilluar në Gjermani, me 51 ndeshjet e transmetuara ekskluzivisht në TV Klan dhe Klan Plus dhuroi 117 gola, tre prej të cilëve realizuar nga Kombëtarja Shqiptare, duke vulosur mesataren prej 2.29 golash në çdo 90 minutësh.

Kuqezinjtë shënuan në të gjitha mënyrat. Nedim Bajrami ekzekutoi saktë kundër Italisë, për të kontribuar në shifrën e 60 golave me këmbën e djathtë përgjatë Euro2024. Me këmbën e majtë u shënuan 28 gola, një prej të cilëve nga Klaus Gjasula në atë barazim 2-2 kundër Kroacisë.

Edhe tek shënimi i golave me kokë kishte nuancë kuqezi. Qazim Laçi kërceu bukur tek goli i parë ndaj ballkanasve për të qenë në mesin e 18-të realizimeve në këtë turne. 16.2% e golave u shënuan nga jashtë zonës së 16-metërshit, me skuadrat që godasin më pak nga distanca për të na dhuruar vetëm 19 gola.

Rrjeta u trondit në 98 raste brenda zonës, teksa 9 penallti u ekzekutuan në Euro2024, me 6 gola të shënuar dhe 3 të pritura nga portierët. Pritej të vendosej rekordi i autogolave më të shumtë në Kampionatin Europian, por kjo shifër u ndal në 10-të.

Ajo që mungoi në këtë kompeticion janë golat nga goditjet e dënimit, tentativa që kishin shpesh si pretendent Cristiano Ronaldon, i cili nuk arriti të festojë asnjëherë në Euro2024.

Klan News