Euro 2024 ka hyrë në fazën më të zjarrtë të tij. Tashmë janë mësuar dy çiftet gjysmëfinaliste, ku Spanja sfidon Francën më 9 Korrik, ndërsa një ditë më vonë, Holanda mat forcat me Anglinë. Në total janë shënuar 108 gola deri më tani, ku 10 janë autogola.

8 gola u shënuan në 4 takimet çerekfinale, për të ruajtur ecurinë prej mbi 2.2 golave për ndeshje. Formë e mirë nga skuadrat, por që gjithsesi shifrat mbeten shumë larg nga ato të regjistruar në edicionin e shkuar.

Në Euro2020, u realizuan në total 142 gola, 34 më shumë se edicioni i sivjetshëm. Për herë të dytë në historinë e Kampionatit Europian, të paktën 3 ndeshje kërkuan shtesat, madje edhe penalltitë në 2 raste për të mësuar skuadrën gjysmëfinaliste.

Hera e parë që ndodhi ishte në vitin 2008, ku në fund ishte Spanja ajo që ngriti lart trofeun. Iberikët janë sërish në garë, teksa do të synojnë të fitojnë për herë të katërt në histori Europianin. Në total janë 6 trofe kontinentalë mes 4 përfaqësueseve.

Spanja kryeson me 3, ndjekur nga Franca me 2 dhe Holanda me 1. Ndërsa, Anglia kërkon titullin e parë.

Tv Klan