4.8 vite burg për sanitaren dhe 3.4 vite burg për djalin e saj, rreth 500 mijë Euro konfiskohen

“Ish-zyrtarja e ministrisë së Financave, Alda Klosi u dënua me 20 muaj burgim vetëm për veprën penale të fshehjes së pasurisë, ndërsa sa i përket veprës penale të pastrimit të parave Prokuroria e Tiranës kishte ardhur me kërkesën për pushim të çështjes, por gjykata e riktheu për hetim duke i lënë Prokurorisë tre muaj afat.”

Sanitarja Rozeta Dobi u shpall fajtore dhe u dënua me 7 vite burg. Ajo akuzohet për dy vepra penale  vjedhje me pasoja të rënda dhe vjedhja më shumë se sa një herë, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ajo do të vuaj 56 muaj heqje lirie. Djali i saj Havier Dobi u dënua me 5 vite, në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai duhet të vuaj me 3 vite e 4 muaj burg.

Gjykata e Tiranës rëndoi pozitën e Rozeta dhe Havier Dobit duke u shtuar nga një vit më shumë dënim nga ai që kishte kërkuar prokuroria. Në seancë avokatët e nënë e bir, kërkuan nga gjykata rrethana lehtësuese pasi ata kanë bashkëpunuar me prokurorinë dhe kanë shfaqur pendesë dhe se nuk janë të dënuar më herët.

“Gjatë zhvillimi të seancës Rozeta Dobi shfaqi pendesë dhe kërkoi mëshirën e gjykatës në dhënien e vendimit. Ajo pretendoi se paratë nuk i kishte vjedhur, por ja kishte dhënë Alda Klosi për t’i mbajtur dhe do t’ja kthente në një moment të dytë. Sipas Rozeta Dobit gjithçka ishte e inskenuar nga Alda Klosi në mënyrë që ajo të akuzonte ish-bashkëshortin e saj.”

Alda Klosi nuk ishte e pranishme në seancën gjyqësore, por u përfaqësua nga avokatët. Mbrojta kërkoi pafajësi duke argumentuar se Alda Klosi nuk ka kryer fshehje të pasurisë, pasi apartamenti, garazhi dhe makina, nuk ishin të saj, por të ish-bashkëshortit dhe ka qenë detyra e tij për t’i deklaruar. Avokatët kërkuan rrethana lehtësues pasi Alda Klosi është nënë e dy fëmijëve të mitur, ka nënën të sëmurë dhe ajo vet ka probleme shëndetësore.

Shuma prej 500 mijë eurosh që dyshohet se u vodh në banesën e Alda Klosit edhe pas shumë kohësh hetimesh mbetet pa pronar. Klosi kërkon që t’i kthehen shuma prej gati 120 mijë Eurosh që i provon me burime të ligjshme. Bizhuteritë që janë pa pronar të gjetura në banesën e sanitares dhe shuma prej gati gjysmë milioni Euro do të kalojnë në favor të shtetit.

Klan News