Forcimi i monedhës kombëtare ndaj valutës së huaj është thelluar edhe më shumë. Kursi i këmbimit të euros po vijon rënien ditë pas ditë këtë javë, duke vendosur rekorde të reja historike.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 99.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Prej datës 12 gusht euro ra për herë të parë poshtë kufirit të 100 lekëve, ndërsa një tendencë e ngadaltë rënëse ka vijuar edhe në ditët në vijim. Tregu priste një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë për ta kthyer euron sipër kufirit të 100 lekëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, leku po vazhdon të forcohet edhe në kursin e këmbimit me monedhat e tjera kryesore. Dollari amerikan u këmbye këtë të Martë me 89.93 lekë, duke prekur nivelin më të ulël që prej fundit të vitit 2008.

Në ulje është edhe paundi britanik i cili këmbehet me 116.96 lekë.

Efekte pozitive nga forcimi i lekut në përgjithësi ka patur qeveria shqiptare, sepse kursi i këmbimit ka qenë faktori me ndikimin kryesor në uljen e borxhit publik në vitet e fundit. Por, forcimi i lekut ka goditur eksportet shqiptare.

Për 7-mujorin, eksportet e mallrave shënuan rënie me 14.5%. Një lek gjithnjë e më i fortë, po godet edhe sektorin e shërbimeve, duke filluar nga turizmi. Gjithashtu, forcimi i lekut po ndikon negativisht edhe familjet përfituese të remitancave, duke ulur të ardhurat e tyre të disponueshme në lekë.

Klan News