Shqipëria ka nisur përgatitjet për Europianin e 17-vjeçarëve, eventi historik që do të zhvillohet në vendin tonë. Vetëm pak orë përpara startit të aktivitetit, trajneri Andrea Tedesco grumbulloi 23 futbollistë, për të zhvilluar një mini-fazë përgatitore.

Grupi i lojtarëve do të stërvitet së bashku dhe të premten, drejtuesi i stolit do të përzgjedhë 20 emrat që do të jenë në listën përfundimtare për Kampionatin Europian.

Shumica e lojtarëve kanë qenë pjesë e përfaqësueses së 17-vjeçarëve, teksa nuk mungojnë edhe disa afrime të reja, që mund t’i shërbejnë ekipit.

Duke qenë se Shqipëria është vendi organizator, kuqezinjtë e vegjël do të hapin eventin, me ndeshjen debutuese më 19 Maj kundër Portugalisë. Sfida do të zhvillohet në Arenën Kombëtare, prej orës 18:00. Në ndeshjet e tjera të Grupit A, Shqipëria do të luajë më 22 Maj kundër Gjermanisë në Elbasan Arena dhe në datën 25 Maj ndaj Francës, po në Elbasan.

Në grupin B luajnë Italia, Belgjika, Anglia dhe Çekia. Ekipet e dy vendeve të para në secilin grup, kualifikohen në gjysmëfinale. Finalja e Euro U-17 luhet më 1 Qershor në Tiranë.

Tv Klan