Euro po vijon rënien edhe gjatë kësaj jave, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane aktualisht këmbehet me rreth 95.6 lekë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia lidhet me ofertën e shtuar të valutës në treg, një fenomen i zakonshëm për këtë periudhë të vitit, i nxitur nga kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit dhe flukset më të larta të euros në ekonomi.

“Zhvlerësimi i euros lidhet me flukset hyrëse nga turistët dhe emigrantët, të cilët sjellin para në vend. Një pjesë e këtyre flukseve nuk kalon përmes kanaleve zyrtare”, thotë Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie.

Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, rënia vjetore e kursit ka qenë më e moderuar.

“Kjo situatë është e favorshme për ekonominë, sepse ndihmon në mbajtjen e ulët të inflacionit”, shprehet Radonshiqi.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se për vitin 2026 do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës, ndërsa shpenzimet e fundvitit mund të sjellin një luhatje të përkohshme të kursit në ditët në vijim.

Tv Klan

/tvklan.al