Ministrat e financave të vendeve anëtare të Eurozonës do të vendosin gjatë mbledhjes së Eurogrupit në Bruksel mbi kushtet e reja të ristrukturimit të borxhit grek.
Këto kushte do të jenë pjesë e një pakete të dytë ndihme për Athinën prej 130 miliardë euro, pa të cilën Greqia nuk do të jetë në gjendje të shlyejë këstin prej 14.5 miliardë eurosh, të marrë në muajin Mars të vitit të shkuar.
Një ndër kushtet kryesore për marrjen e ndihmës së dytë është dhe arritja e marrëveshjes për shkëmbimin e borxhit mes qeverisë greke dhe përfaqësuesve të sektorit privat.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje është dhe shkurtimi me 100 miliardë euro i borxhit 350 miliardësh, që qeveria ka marrë nga sektori privat në mënyrë që vendi të jetë në gjendje të shlyejë një pjesë të madhe të borxhit deri në muajin Mars.
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe reduktimi deri në 70% i borxhit ndaj këtij sektori. Ende të pazgjidhura mbeten disa detaje të ristrukturimit të borxhit, që përfshijnë shkëmbimin e bonove ekzistuese me bono të reja afatgjata që synojnë uljen e borxhit në 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2020, nga 160% që është aktualisht.
Ndihma e dytë do të jetë burim financiar për Greqinë deri në vitin 2014. Zgjidhja e çështjes së shkëmbimit të borxhit grek është jetike për shmangien e një falimentimi kaotik që do të ishte fatal për krejt Eurozonën./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka












Botërori 2026 