Euroja vijon të lëvizë në nivele të ulëta, duke u këmbyer me rreth 93.6 lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, monedha europiane është zhvlerësuar me afro 4 për qind, që do të thotë se 100 euro të këmbyera sot vlejnë rreth 436 lekë më pak se një vit më parë.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 synon të blejë përmes ankandeve 330 deri në 450 milionë euro për të rritur rezervën valutore, por presioni mbi kursin e këmbimit mbetet i lartë.

“Ekonomia eshte e euroizuar dhe kjo bën që ndërhyrjet e BSH të jenë të papërfillshme, turizmi, remitancat investimet kanë shtuar sasinë në qarkullim duke forcuan monedhën tonë kombëtare, për pasojë qytetarët me të ardhura në euro dhe eskportuesit mbeten kategoritë më të goditura”, tha Muço

Një monedhë vendase më e fortë ul koston e importeve dhe të lëndëve të para, ndërsa ndihmon në mbajtjen nën kontroll të inflacionit, i cili në muajin e fundit ishte 3.2 për qind, pranë objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, efekti i kursit të këmbimit nuk është reflektuar plotësisht në çmimet që paguajnë konsumatorët.

“Në kushtet kur për sipërmarrjet importuese kostot kanë rënë ndjeshëm do duhej që dhe çmimet e një sërë produkteve dhe shërbimeve të ishin më të lira dhe jo ky marzh fitimi kaq i lartë të mbetej në duart e sipërmarrësve. E vetmja zgjidhje është që qarkullimi i euorve të kanalizohej në rrugë formale dhe të eleminohej përdorimi i tij brenda vendit për pagesa”, tha Muço.

Mes hyrjeve të larta të valutës dhe sfidave të eksporteve, kursi i këmbimit mbetet një nga treguesit më të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, ndërsa tregu do të përcaktojë nëse euroja do të vijojë të qëndrojë në këto nivele edhe gjatë muajve të ardhshëm.

/tvklan.al