I njohur për skena madhështore, drita verbuese, kostume ekstravagante, performanca që ndoshta nuk do t’i shikoje në një koncert të thjeshtë… Eurovision Song Contest po hap një kapitull të ri në këtë 70-vjetor, duke u lançuar për herë të parë në Azi.
Transmetues nga 10 vende të këtij kontinenti, përfshirë Korenë e Jugut, Tajlandën, Filipinën, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre dhe lista pritet të zgjerohet.
Në faqen zyrtare të konkursit, njoftohet që rregullat nuk ndryshojnë, do të jenë të njëjta me ato të Evropës.
Dhjetë vendet e konfirmuara: Bangladesh, Butan, Kamboxhia, Laos, Malajzi, Nepal, Filipine, Koreja e Jugut, Tajlanda, Vietnami, do të zhvillojnë fillimisht përzgjedhjet kombëtare dhe më pas finalja do të mbahet më 14 nëntor në Bangkok.
Për të qenë më të qartë, vendet aziatike nuk do të konkurrojnë në Evropë, por në rajonin e tyre. Mund të cilësohet si një “Asiavision”, edhe pse nuk ka marrë një emër të tillë.
Edicioni aziatik i Eurovision organizohet nga European Broadcasting Union në bashkëpunim me kompaninë amerikane Voxovation dhe S2O Productions.
Drejtuesi i European Broadcasting Union, Martin Green, u shpreh se lançimi në Azi është “veçanërisht domethënës”, duke theksuar potencialin e madh kulturor dhe artistik të rajonit.
Organizatorët shpresojnë që edicioni aziatik të ketë më shumë sukses se iniciativa e mëparshme në SHBA, American Song Contest, e cila u mbajt në vitin 2022, por nuk arriti audiencën e pritur dhe nuk u rinovua.
Azia, megjithatë, konsiderohet një treg në lulëzim për industrinë muzikore.
Rritja e të ardhurave, ndikimi i rrjeteve sociale dhe popullariteti i zhanreve si K-pop kanë kontribuar në një zhvillim të shpejtë të këtij sektori. Përveç K-pop-it, rajoni ofron një gamë të gjerë ndikimesh kulturore, nga fenomeni T-Wind në Tajlandë deri te industria gjigante e Bollywood, megjithëse India nuk ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.
/tvklan.al












Botërori 2026 
