Një avion luftarak italian i NATO-s rrëzoi këtë të martë një dron në hapësirën ajrore të Lituanisë sipas autoriteteve vendase.

Droni i dyshuar rus hyri nga Bjellorusia, aleate e Rusisë, pas mesnate dhe u rrëzua pranë një fshati rreth 60 km larg kryeqytetit.

Objekti i huaj kishte qëndruar në hapësirën ajrore lituaneze për rreth 30 minuta dhe kishte fluturuar përgjatë periferive të zonave të populluara përpara se të interceptohej.

Një pajisje shpërthyese ishte zbuluar  në të dhe më pas neutralizuar.

Ndërkohe, në Detin Baltik një anije luftarake ruse lëshoi dy flakadanë në drejtim të një helikopteri të Danimarkës në ujërat ndërkombëtarë në jug të vendit.

Fatmirësisht fishekzjarrët nuk e prekën helikopterin.

Sipas ministrit danez, fregata ruse nuk kishte dhënë asnjë sinjal për veprimet që do të kryente megjithatë Rusia tha se ishte provokuar nga helikopteri danez.

“Nuk ishte hera e parë” që helikopterët danezë “kryenin manovra të rrezikshme pranë anijeve luftarake ruse” deklaroi ambasadori rus në Kopenhagen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se incidentet nuk ishin të izoluara, por pjesë e një modeli më të gjerë të agresionit dhe provokimit rus kundër Evropës, duke vënë në provë gatishmërinë dhe vendosmërinë e unionit.

Tv Klan

/tvklan.al