Një vend europian së shpejti mund “të pushtohet” nga shumë turistë që mbërrijnë në brigjet e tij, shkruan gazeta e njohur britanike “Express”.

Shqipëria ka parë që industria e saj të turizmit të rritet ndjeshëm vitet e fundit, me hapjen e hoteleve dhe plazhet e saj të bukura që bëhen të preferuarat midis ndikuesve në median sociale.

Sipas artikullit, në vitin 2015, mbi 3 milionë turistë mbërritën në Shqipëri për ta eksploruar atë, një shifër që u rrit në 4 milionë në vitin 2017 dhe 6 milionë në vitin 2019.

Megjithatë, që nga pandemia, numrat janë rritur ndjeshëm, me rreth 10 milionë njerëz që mbërritën në vitin 2023, një rritje prej 56% në krahasim me shifrat para pandemisë.

Këto shifra e kanë bërë Shqipërinë destinacionin e pushimeve me rritjen më të shpejtë në Europë, me qeverinë që pret deri në 30 milionë vizitorë të huaj deri në vitin 2030.

Në këtë kontekst, ky nivel do të ishte më shumë se sa marrin aktualisht Portugalia ose Kroacia.

Shqipëria renditet e treta për shpejtësinë e rritjes së turizmit në botë, pas gjigantit të naftës në Lindjen e Mesme, Katarit, dhe Porto Rikos.

Në artikull përmendet edhe vëmendja që investitorët e huaj i kanë dhënë Shqipërisë, ku midis atyre që investojnë në skenën shqiptare janë Jared Kushner dhe gruaja e tij, Ivanka Trump, të cilët kohët e fundit morën dritën jeshile për një hotel luksoz prej 1,4 miliardë Dollarësh në ishullin e Sazanit.

Shqipëria ka qenë prej kohësh një perlë e fshehur për turistët në Evropë, duke u mburrur me atraksione të tilla si Syri i Kaltër, një burim natyror malor, dhe Parku Kombëtar i Butrintit, një pikë e jashtëzakonshme arkeologjike me nënshtresa historike nga helenizmi deri te bizanti.

Krahas kësaj, plazhet me rërë dhe vendpushimet bregdetare të Shqipërisë, si dhe temperaturat e larta të verës, përbëjnë një propozim tërheqës për turistët.

Klan News

/tvklan.al