Mediat britanike vijojnë të sugjerojnë Shqipërinë si një destinacion turistik që duhet vizituar edhe gjatë periudhës së pranverës. E radhës është britanikja “Express”, që shkruan se, nëse dëshironi të udhëtoni me një kosto të përballueshme dhe të shijoni motin e ngrohtë pranveror, Tirana është zgjedhja ideale për t’u vizituar. Temperaturat arrijnë deri në 21 gradë Celsius gjatë muajit prill dhe, mbi të gjitha, kryeqyteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më popullor si një destinacion për pushime me buxhet të ulët për vizitorët.

Në brendësi të artikullit të britanikes “Express” shkruhet se në Tiranë, vizitorët mund të eksplorojnë një gamë të gjerë pikash atraktive, me godina historike dhe shumëngjyrëshe, tregje të shumta, parqe të bukura dhe peizazhe të zonave malore, të gjitha të vendosura brenda dhe përreth kryeqytetit shqiptar.

Sipas të përditshmes britanike, disa nga pikat kryesore të Tiranës përfshijnë Sheshin Skënderbej, zonën e Ish-Bllokut, Xhaminë e Et’hem Beut, Muzeun Historik Kombëtar, Piramidën dhe plot zona të tjera që ia vlen për t’u vizituar. Në artikull shkruhet se një tjetër avantazh është se edhe çmimet e produkteve ushqimore të ndryshme janë të përballueshme për turistët.

Sipas “Express”, edhe fluturimet nga Britania e Madhe ofrohen me një kosto të përballueshme, falë fluturimeve direkte nga aeroportet kryesore britanike Heathrow, Gatwick, Luton, Liverpool dhe Manchester.

Klan News

/tvklan.al