Aktivistët australianë ia dolën që të ndaloni deportimin në mesnatë të një familjeje azilkërkuese nga Tamil, ndërkohë që po transportoheshin me avion. Një vendim gjykate që iu dha ndërkohë që familja ishte në fluturim, ndaloi deportimin e Nadesalingam, Priya dhe dy vajzave të tyre drejt Sri Lankës.

Rasti i familjes shkaktoi zemëratë të gjerë në opinionin publik që prej Marsit të vitit të shkuar, kur autoritetet vendosën dëbimin me forcë të tyre nga shtëpia në Queensland.

Australia e mbrojti vendimin të premten duke thënë se ata nuk ishin refugjatë.

“Vendi ynë nuk e ka për detyrë që t’i japë atyre mbrojtje“, tha Ministri i Brendshëm, Peter Dutton, duke folur për mediat vendase.

Ai tha se kërkesa për azil e familjes ishte procesuar dhe refuzuar në mënyrë korrekte nga autoritetet e emigrimit. Apelet që pasuan pas këtij vendimi, dështuan.

Prindërit e familjes, Nadesalingam dhe Priya u njohën dhe u martuan në Australi, pasi ishin arratisur nga lufta civile në Sri Lanka. Vajza 2-vjeçare Tharunicaa dhe motra e saj 4-vjeçare Kopika, kanë lindur të dyja në Australi.

Mbështetës të familjes thonë se nëse ata kthehen në Sri Lanka rrezikojnë persekutimin, për shkak të lidhjeve politike që kanë pasur në të shkuarën.

Familja punoi dhe jetoi për 3 vjet në qytezën e vogël të Biloela, përpara se të dërgoheshin me forcë në një qendër ndalimi Marsin e shkuar. Bastisja policore që në agim, ku morën pjesë dhjetëra oficerë, shkaktoi një kundërpërgjigje të ashpër nga komuniteti. Një peticion për rikthimin e tyre në shtëpi tërhoqi më shumë se 120 mijë firma.  

Në një zhvillim dramatik të premten, një gjykatë federale lëshoi një urdhër që e ndalon qeverinë të deportojë fëmijën e vogël përpara të mërkurës së ardhshme. Sipas BBC, mbetet e paqartë nëse qeveria do të lejojë qëndrimin e pjesës tjetër të familjes, të cilët publikisht janë identifikuar vetëm me emrat e tyre.

“Duke marrë parasysh rrethanat do të ishte çnjerëzore që ta ndaje familjen në këtë pikë”, tha për gazetarët avokatja Carina Ford.

Si u ndalua deportimi në fluturim?

Mbrëmjen e së enjtes, protestues të shumtë shkuan në Aeroportin e Melbourne, pasi mësuan se familja do të deportohej brenda pak orëve.

Avioni i tyre u nis rreth orës 23:00, (me orën lokale), por avokatët ia dolën që gjatë fluturimit të merrnin urdhrin nga gjykata, duke parandaluar kështu deportimin e Tharunicaa.

Vendimi, që u komunikua nga një gjykatës nëpërmjet telefonit, e detyroi avionin që të ulej rreth 3 mijë kilometra larg, në Darwin, rreth orës 03:00 (me orën lokale).

Të premten, shumë australianë, përfshirë ligjvënës, shprehën zemëratën e tyre në internet për trajtimin që iu është bërë familjes dhe i bënë thirrje qeverisë që të tregonte dhembshuri./tvklan.al