Ndryshe nga herët e kaluara, Theresa May nuk doli duarbosh nga Samiti për Brexit, por shtyrja e afatit që Brukseli i lejoi Londrës erdhi me kushte. Bashkimi Europian vendosi të shtyjë me të paktën 2 javë skadimin e datës aktuale të 29 Marsit, për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Unioni.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se shpresa vdes e fundit. Ndërsa nuk humbi rastin t’i kujtojë Londrës se është ende në kohë të tërhiqet nga Brexit.

“Deri më 12 Prill gjithçka është e mundur, një marrëveshje, një shtyrje e gjatë nëse Britania e Madhe kërkon të rishqyrtojë strategjinë e saj, apo tërheqja e nenit 50-të, çka është një e drejtë e posaçme e qeverisë britanike. Fati i Brexit është në duart e miqve tanë britanikë”.

May duhet t’i drejtohet sërish parlamentit javën e ardhshme për të tentuar për herë të tretë votimin e marrëveshjes. Nëse kryeministrja ia arrin të marrë mbështetjen, afati shtyhet sërish nga 12 Prilli për në 22 Maj. Por një mundësi e tillë, sipas BBC, ka pak gjasa të ndodhë.

Tv Klan