“Shpresa juaj, e europianëve, është që të flitet vetëm për Ukrainën…”.
Kshtu shpehet Marat Bashirov, një nga opinionistët më të njohur rusë për gazetën italiane Corriere della Sera. Në një intervistë para disa muajsh ai kishte përsëritur të njëjtën gjë.
Në fillim të majit të kaluar, kur ende askush nuk e mendonte të mundur, Marat Bashirov tha se para çdo marrëveshjeje, para çdo hipoteze, do të kishte një takim mes Trump dhe Putin dhe se nuk kishte asnjë mënyrë për t’iu shmangur këtij hapi vendimtar.
Sot, për ish-deputetin e “Rusia Unita”, politolog, profesor në Shkollën e Lartë të Ekonomisë, pronar i një kompanie që u hap dyert e Kremlinit sipërmarrësve të huaj, dhe ndërkohë një nga opinionistët më të njohur rusë me mbi një milion ndjekës në kanalin e tij me pagesë në Telegram, arsyet e bindjes së tij të atëhershme duken edhe më të qarta.
“Do të shqyrtohet një agjendë shumë e gjerë. Dy presidentët do të trajtojnë disa çështje, ndër të cilat Ukraina nuk është më e rëndësishmja. As për ne, as për ta”, tha ai.
Cilat janë atëherë prioritetet?
“Së pari, siguria bërthamore, që duhet rishikuar në dritën e raketave të reja që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë kapjen e tyre. Së dyti: problemet që lidhen me tregtinë botërore. Ajo që po bën Trump është vendosja në mënyrë të kontrolluar e taksave doganore ndaj disa vendeve, dhe padyshim po tregohet më i kujdesshëm ndaj Rusisë dhe Kinës. Është e qartë se lojtarët kryesorë janë këto vende të mëdha. Së treti: Lindja e Mesme, ku janë të përfshira shumë shtete, me korridore transporti dhe sigurinë e tregjeve të energjisë. Izrael-Palestinë-Gaza, Izrael-Iran, Iran-monarkitë e Gjirit, huthi,një nyje shumë nevralgjike për të gjithë. Dhe, vetëm pas këtyre, lufta në Ukrainë, e rëndësishme kryesisht sepse Trump vazhdon të flasë për të”.
A do të heqë dorë Rusia nga disa nga objektivat e Operacionit Special Ushtarak?
“Mendoj se kjo është e pamundur. Le të themi se disa prej këtyre objektivave kanë karakter përshkrues, si denazifikimi dhe demilitarizimi, ndërsa të tjerë tashmë janë të sanksionuar në kuadrin ligjor. Katër territoret e aneksuara, por pa përcaktimin e kufijve, çka është shumë e rëndësishme, janë parashikuar në Kushtetutë: Kufijtë e tyre jo. Prandaj, këta të fundit janë pjesë e gjërave që duhen përcaktuar dhe për të cilat mund të ketë hapësirë negocimi. Nëse vetë SHBA-të do të deklarojnë se janë kundër afrimit të NATO-s në kufijtë rusë, kjo do të mundësonte nisjen e diskutimit me vendet e tjera të Aleancës për ta sanksionuar këtë qëndrim në nivel ligjor. Por Putin nuk do të pranojë kurrë që të ndodhë si me Gorbaçovin: ‘Mikhail, nuk do të lëvizim’, dhe pastaj u shtynë përpara, madje shumë”.
Çfarë është më e rëndësishme: Operacioni Special Ushtarak apo njohja ndërkombëtare që Putin mund të marrë nga ky takim?
“Njohja e çfarë? Pavarësisht nëse ju europianëve ju pëlqen apo jo, roli i Rusisë si fuqi e madhe, pesha e saj në punët botërore, është tashmë e qartë për të gjithë. Por siç thuhet në rusisht, ‘fjalët nuk të ngopin’. Prandaj, nëse ky takim do të hedhë bazat për një akt ndërkombëtar, si ai i Helsinkit për sigurinë në Europë, i firmosur nga dhjetëra shtete, atëherë do të kemi edhe një njohje formale. Megjithatë, kjo nuk është thelbësore. Sepse ajo që po ndodh sot në botë ndodh vetëm mbi bazën e forcës. Duhet pranuar tashmë se e drejta ndërkombëtare është shkatërruar: Ajo që funksionon është vetëm ligji i forcës. A e ka Rusia? Po. A e kanë Shtetet e Bashkuara? Sigurisht. Ukraina? Vetëm pjesërisht, por shumë më pak se Rusia. Kjo është ajo që vlen sot. Prandaj, retorika për statusin tonë mund t’i bëjë qejf vetëm Trump-it, që mendon se është ‘king maker’. Për ne, nuk ka rëndësi”.
A është e pranueshme për Rusinë zgjidhja “koreane”, me ngrirjen e situatës në kufi?
“Këto katër rajone janë objekti kryesor i mosmarrëveshjes. Është e qartë për mua se në të ardhmen nuk do të njihen si pjesë e Rusisë nga të gjitha shtetet: disa po, disa jo. Kur flitet për zgjidhjen koreane, çuditërisht të gjithë i referohen vijës së kontaktit mes trupave. Por atëherë situata ishte ndryshe: palët ishin të ngujuara, përballë njëra-tjetrës, në paralelin e njohur gjeografik. Në rastin tonë, situata është krejt tjetër: Lëvizjet janë të vazhdueshme dhe dinamika ka javë të tëra që shkon në të njëjtin drejtim. Për më tepër, kjo lidhje me vijën e frontit nuk funksionon, sepse siç thashë, kemi të bëjmë me Kushtetutën ruse”.
A duhet që Rusia t’i besojë Trump-it?
“Vetëm nëse ajo që bën i shërben vetë Trump-it. Ai është një njeri që jeton për lavdi dhe para. Nëse përfiton për veten, mund të luajë rolin e garantuesit. Përndryshe, ai e thotë hapur se çfarë dëmton interesat e tij. Por edhe kjo qasje, në botën e re të dominuar nga forca, ka vlerën e vet”./tvklan.al












Botërori 2026 
