Hakerët iranianë grabitën të dhëna të pabëra publike nga shtabi elektoral i Donald Trampit, për t’ia dhënë atij të Xho Bajdenit. Në këtë përfundim arrin një hetim i drejtuar nga FBI, ku kanë marrë pjesë edhe agjenci të tjera të zbulimit të Shteteve të Bashkuara.

Mediat amerikane që kanë dijeni mbi këtë hetim bëjnë të ditur se të dhënat, iu dërguan njerëzve të Xho Bajdenit me e-mail nga hakerët në periudhën nga fundi i Qershorit deri në fillim të Korrikut. Në atë kohë, presidenti aktual ende nuk ishte tërhequr nga ambicja e tij për të fituar një mandat të dytë.

Megjithatë, shtabi i Bajdenit nuk i ka kthyer asnjë përgjigje e-maileve të dërguara nga hakerët. Muajin e kaluar, zyrtarët në Uashington thanë se Irani ka nisur një fushatë për të nxitur mosmarrëveshje në rangjet politike të Shteteve të Bashkuara, vetëm pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, si dhe për të minuar besimin e zgjedhësve tek institucionet, taktikë e përdorur më herët edhe nga hakerët e lidhur me Moskën.

Teherani mohoi përfshirjen në fushatën elektorale të Shteteve të Bashkuara, ndërsa kandidati republikan tha se hetimi i FBI-së konfrimon se si presidenti Bajden ashtu edhe kandidatja demokrate Kamala Herris janë duke bashkëpunuar me Iranin.

Tv Klan