Presidenti amerikan Donald Trump deklaron se FBI po shqyrton dyshimet mbi marrëdhëniet mes drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe një shtetasje kineze, e dyshuar nga autoritetet amerikane si agjente e inteligjencës së Pekinit.
Gjatë një deklarate për mediat, Trump tha se kishte biseduar me Huang, i cili i kishte pohuar se nuk kishte pasur dijeni për dyshimet që lidhen me këtë çështje.
“Isha i habitur kur e dëgjova këtë, sepse e konsideroj atë një njeri me cilësi shumë të larta. E njoh prej kohësh. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm. Shpresoj që të mos ketë asnjë problem. Nëse ka, do t’ju njoftojmë. Besoj se ai po vuan shumë, veçanërisht për shkak të familjes së tij, bashkëshortes që e do dhe familjes së tij”, tha Trump.
Deklaratat e Trump vijnë pasi bordi drejtues i Nvidia-s ka nisur një hetim të brendshëm, për të përcaktuar nëse Huang ka qenë objektiv i një operacioni të mundshëm të inteligjencës së huaj.
Ndërkohë, 63-vjeçari ka pranuar publikisht marrëdhënien jashtëmartesore dhe ka kërkuar falje, duke e bërë çështjen objekt të vëmendjes edhe përtej aspektit të sigurisë kombëtare.
Polemikat kanë ndikuar edhe në tregjet financiare, ku aksionet e Nvidia-s kanë regjistruar një rënie prej më shumë se 4 për qind. Nga ana tjetër, Kina i ka cilësuar akuzat si shpifje dhe pretendime të pabazuara.
Çështja ka nxitur reagime edhe në Kongresin amerikan, ku po shtohen thirrjet për vendosjen e kufizimeve më të forta ndaj eksporteve të çipave të avancuar drejt Kinës.
Pavarësisht polemikave, bordi i Nvidia-s ka shprehur besimin te Jensen Huang, një prej figurave më të rëndësishme të industrisë globale të inteligjencës artificiale.
/tvklan.al












Botërori 2026 