Kur kanë mbetur më pak se shtatë ditë deri te zgjedhjet ruse për anëtarët e Dumës Shtetërore, të planifikuara për periudhën 18-20 shtator, Kremlini po përsos metodat e tij për të eliminuar kandidatët e shpallur “non grata”, shkruan media franceze France 24.
Të paktën 36 kandidatë janë skualifikuar tashmë nga autoritetet zgjedhore, sipas një hetimi të fundit të publikuar nga media e pavarur ruse “Verstka”.
Në terma absolutë, shifra mund të duket e ulët duke mbajtur parasysh 4,436 kandidatët që përpiqen të sigurojnë një vend në Dumën Shtetërore të Rusisë, e cila ka gjithsej 450 vende. Kjo shifër nuk përfshin më shumë se 10,000 kandidatët që garojnë për parlamentet rajonale.
Megjithatë, bëhet fjalë për kandidatë që e fituan të drejtën për të kandiduar, kryesisht sepse u përkasin partive të ashtuquajtura të “opozitës sistemike” në Rusi, një term që përdoret për të përshkruar partitë e pranuara nga Kremlini.
Arsyeja më pak befasuese e përmendur nga autoritetet ruse ka të bëjë me kandidatët që janë kapur duke postuar foto të liderit të opozitës, Aleksei Navalni, i cili ndërroi jetë në burg në nëntor të vitit 2024. Çdo referencë ndaj kritikut historik të presidentit rus Vladimir Putin konsiderohet si simbol “ekstremist” nga Kremlini.
Kandidatë të tjerë, të cilët janë gjykuar si tepër “ekstremistë” për të marrë pjesë në zgjedhje, janë ata që kanë publikuar imazhe me logot e rrjeteve sociale të ndaluara në Rusi, si Facebook apo Instagram.
Zotërimi i aksioneve në kompani perëndimore mund të jetë gjithashtu shkak për skualifikim.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 