Sezonet kalojnë, por emri i Federico Chiesës mbetet ndër më të përmendurit gjatë merkatos italiane.

Ish-sulmuesi i Juventusit vjen pas një sezoni te Liverpooli, ku minutat në fushë kanë qenë një luks i vërtetë, me më pak se 500 të tillë në të gjitha kompeticionet.

E tani, dëshira për t’u rikthyer në Serie A, për të gjetur hapësirën e humbur dhe pse jo, për të rikuperuar edhe fanellën e kombëtares, është më e fortë se kurrë!

Pikërisht për këtë arsye, shumë klube të Serie A e kanë vendosur në krye të listës së dëshirave. Napoli, pasi konstatoi avantazhin në negociata të Nottingham Forest për Ndoye dhe të Interit për Lookman, do ta tentojë sërish, pasi e kishte menduar një transferim të tillë edhe në janar. Atalanta e konsideron si një objektiv kryesor pas largimit të Ademola Lookman, por edhe Milani po e ndjek me interes të madh.

Chiesa nuk bën më pjesë në planet e Liverpoolit dhe, për këtë arsye, mund të blihet me një çmim mjaft të volitshëm.

Një mundësi e artë për klubet italiane që kërkojnë të shtojnë cilësi dhe eksperiencë në sulm. Në këtë merkato vere, dueli mes skuadrave italiane duket se do të jetë mjaft i fortë për shërbimet e sulmuesit 27-vjeçar të krahut.

Klan News

/tvklan.al