Perimja më e shtrenjtë e sezonit është bamja. Këtë vit çmimi i saj ka kapur rekordin. Aktualisht po shitet nga prodhuesit me 7 mijë Lekë të vjetra kg dhe tregtohet për konsumatorët me 12 mijë Lekë të vjetra një kg.

Në Lushnje ajo është mbjellë në serrat diellore, pikërisht për të dalë të parët në treg dhe me çmim të lartë.

Kjo familje prodhuesish të bamjes nga zona e Qerretit në Lushnje po vjel për tregun e Tiranës. Çmimi për ta është i mirë dhe tregu i sigurt.

“Ka kërkesa, për momentin jemi mirë.”

“Po kërkesë ka po s’ka prodhim shumë se është fillimi. Më shumë e merr Tirana.”

Kërkesat e tregut për bamjen janë më të larta se prodhimi. Sipërfaqjet e mbjella nuk plotësojnë nevojat për konsum për shkak se kjo perime nuk kultivohet masivisht.

“Nëpër sera janë të pakta se nuk ka rezultat mjaftueshëm si kulturat e tjera.”

“Kultura të tjera, domate çdo gjë ka kosto më të lartë. Ato që s’kanë mundësi e mbjellin bamje sa të fitojnë pak.”

Aktualisht bamja nuk eksportohet, megjithatë fermerët këtë vit po shesin me çmime që justifikojnë kostot. Sasitë e pakta nuk krijojnë stok pasi 80% e fermerëve mbjellin domate, kastravec dhe speca, produkte të cilat i eksportojnë.

Klan News