Viti i Ri 2009 do të gjejë shumë shqiptarë jashtë shtetit. Sipas agjencive turistike, një numër i madh qytetarësh preferojnë të kalojnë Krishtlindjet apo Vitin e Ri jashtë vendit, pasi në Shqipëri ofrohen më pak mundësi dhe cilësi, si nga ana e infrastrukturës ashtu edhe nga ajo e shërbimeve në krahasim me vendet e tjera.

Përfaqësuesit e këtyre agjencive shprehen se për vendet e Evropës, apo qoftë edhe ato të rajonit, ka paketa turistike, por për te kaluar festat në Shqipëri këto paketa nuk ofrohen, pasi interesimi për to thuajse nuk ekziston.

Atirda Spaillari: “Me keqardhje do të them që nuk bëhet edhe nuk ka kërkesë për të kaluar Vitin e Ri në Shqipëri të organizuar jo brenda qytetit, por nuk ka dhe ofertën”.

Dritan Pajo: “Ka disa vite dhe në Shqipëri festohet jashtëzakonisht mirë. Së pari, prenotojnë vetë, organizojnë vetë festimin e Vitit të Ri në Shqipëri”.

Ndërkohë statistikat tregojnë se këtë vit numri i shqiptareve që do të kalojnë fundvitin jashtë është thuajse i njëjtë me vitet e kaluara.

Atirda Spaillari: “Një pjesë e mirë e paketave them që janë në ato nivele që kanë qenë deri vjet. Ka pasur një ndryshim minimal”.

Dritan Pajo: “Edhe këtë vit si vitet e tjera ka pasur një kërkesë në rritjen mund të them, por jo shumë krahasuar me vitet e tjera”.

Si zakonisht destinacionet më të preferuara për shqiptarët janë kryesisht vendet e rajonit, si Kroacia, Mali i Zi, Turqia, Maqedonia, por edhe qytete të tilla si Parisi, Viena apo Dubai./tvklan.al