Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet e tij sociale pamjet nga pritja zyrtare në Vatikan e organizuar nga ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe 35-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes vendit tonë dhe Selisë së Shenjtë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të Selisë së Shenjtë të Vatikanit, ambasadorë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Ambasadorja Frangaj foli për marrëdheniet e forta mes dy shteteve prej shumë vitesh. Një mesazh emocionues u përcoll nga Kardinali shqiptar Ernest Simoni.
Në këtë ceremoni u prezantua edhe pulla e përbashkët postare Shqipëri–Seli e Shenjtë.
Në qendër të kësaj pulle postare është paraqitur Zoja e Këshillit të Mirë, e shoqëruar nga stemat e Selisë së Shenjtë dhe të Republikës së Shqipërisë, si dhe nga datat 1991-2026.
Kompozimi plotësohet nga Bazilika e Shën Pjetrit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, dy vende simbolike, që rrëfejnë vizualisht një histori feje, kulture dhe miqësie ndërmjet dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Vatikan, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha u takua edhe me Atin e Shenjtë, të cilit i ka shprehur mirënjohjen për vëmendjen dhe dashamirësinë e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
/tvklan.al












Botërori 2026 
