Komunitetet venezueliane në disa vende të Amerikës Latine, Europë dhe Shtetet e Bashkuara dolën në rrugë për të festuar arrestimin e Presidentit Nicolas Maduro.

Në La Paz të Bolivisë, emigrantët shprehën shpresë për ndryshim, ndërsa në Santiago të Kilit, protestuesit u shprehën se shpresojnë që e ardhmja të jetë e paqësore.

“Shpresoj që në paqe dhe qetësi, populli venezuelian ta kapërcejë këtë situatë, sepse kjo është një periudhë tranzicioni. Askush nuk dëshiron vdekje; gjërat të ndodhin ashtu siç duhet, në qetësi dhe paqe të plotë”, tha një vajzë.

Festime pati edhe në Panama City, San Jose të Kosta Rikës, si dhe në Kukuta të Kolumbisë, pranë kufirit me Venezuelën, ku pati valle dhe fishekzjarre.

Venezuelianët në Spanjë dolën nëpër sheshe për të shprehur gëzimin e tyre, por edhe pasigurinë për atë që do të vijë më pas.

Në Nju Jork, në Times Square, dhjetëra aktivistë protestuan kundër ndërhyrjes amerikane, duke e akuzuar Trumpin se ka vepruar për interesa ekonomike. Ata kërkuan arrestimin e presidentit amerikan.

“Është një tjetër zemërim ndaj Trumpit, të cilit nuk i intereson fare asnjë popull. I vetmi interes i tij është nafta, lakmia dhe korrupsioni. Ai është një kriminel lakmitar, i korruptuar dhe nuk flet në emrin tim e as në emrin e pjesës më të madhe të Amerikës. Unë thjesht mendoj se është një tmerr absolut. Ai e ka pritur këtë; ky është momenti i tij.”

Edhe në Uashington, protestuesit u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë, duke brohoritur “Larg Venezuelës” dhe “Jo luftë kundër Venezuelës”.

Në Romë, dhjetëra demonstrues u mblodhën përpara Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për të protestuar kundër ndërhyrjes së Uashingtonit në Venezuelë.

Demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej “Duart larg Venezuelës!”, ndërsa valëvitnin flamurin kombëtar të këtij shteti. Ata shprehën shqetësim të fortë për rolin e SHBA-së në rajonin e Amerikës Latine dhe për pasojat e kësaj ndërhyrjeje.

Edhe në Greqi, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Athinës. Protestuesit marshuan drejt Ambasadës Amerikane, duke kundërshtuar politikën e jashtme të SHBA-ve. Ata bënë thirrje për “solidaritet me popullin e Venezuelës”.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, që nga viti 2014 rreth 7.7 milionë venezuelianë, ose 20% e popullsisë, janë larguar nga vendi për shkak të krizës ekonomike.

Klan News

/tvklan.al