Televizioni Kombëtar Klan vjen me një programacion të posaçëm festiv që synon ta kthejë ndërrimin e viteve në një përvojë të bukur dhe emocionuese për çdo familje.

“Këngët e Shekullit” do të sjellin muzikën më të mirë shqiptare, humorin dhe shumë surpriza, në një transmetim të gjatë që do të shoqërojë shikuesit në natën e 31 dhjetorit deri në orët e para të mëngjesit të ditës së parë të vitit 2026.

“Patjetër që kemi shumë miq, shumë mysafirë. Kemi artistët më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare, por edhe popullore. Kemi pasuruar pak repertorin e këtij spektakli. Kemi lojëra, do të kemi humor, thjesht do të bëhet qejf. Kështu që publiku le të qëndrojë me ne”, thotë moderatori Pandi Laço.

“Studio e ‘Këngëve të Shekullit’ është mbushur plot me artistë, me emra, të gjithë i duam këta emra dhe akoma më shumë unë që jam rritur me disa prej këtyre emrave, kështu që kam mundësi edhe të duetoj me ta. Por është një surprizë për publikun kjo”, shprehet Marsela Çibukaj.

Një udhëtim emocional, nostalgjik dhe njëkohësisht argëtues do të jetë ky, me maratonën e “Këngëve të Shekullit”, që do të sjellin në shtëpitë tuaja përmes ekranit të Televizionit Klan artistët më të mirë shqiptarë.

“Hajdeni të fillojmë shpejt. Ky është mesazhi për Vitin e Ri”, thotë këngëtari Aurel Thellimi.

“Urimi për Vitin e Ri, e para shëndet. Pastaj mbarësi në çdo gjë”, shprehet këngëtarja Eli Fara.

“Të kemi vetëm gjëra të bukura, vetëm gjëra të gëzueshme që të depërtojmë në familjet shqiptare“, thotë këngëtarja Rosela Gjylbegu.

“Jemi munduar që të bëjmë muzikë të larmishme që njerëzit të dëfrehen në familjet e tyre”, vijon këngëtarja Blerina Braka.

“Kemi përgatitur një program fantastik, me një muzikë popullore, të lehtë, argëtuese, që të gjithë, edhe ata që na ndjekin nga ekrani, t’ia marrin valles nëpër shtëpi”, shton këngëtarja Eranda Libohova.

“Shpresoj që do të jemi të gjithë në një nivel të mirë”, vijon këngëtari Mateus Frroku.

“Gëzuar, qoftë një vit i mbarë për të gjithë”, shton këngëtari Ylli Baka.

Kënga shqipe do të kalojë kufijtë zyrtarë, ku tradita dhe kultura muzikore shqiptare do të bashkohen në skenën e madhe të “Këngëve të Shekullit”.

“Muzika shqiptare është gjithmonë e rëndësishme ta kujtojmë, jo vetëm në net të shënuara, por gjithmonë, sepse këto janë rrënjët tona dhe nuk duhet të harrojmë prej nga vijmë”, thotë këngëtarja Edona Reshitaj.

“Do jetë një mbrëmje e gjatë, e bukur, siç di të jetë nata e Vitit të Ri”, shton këngëtarja Egzona Ademi.

Programacioni festiv i Tv Klan nuk ndalet vetëm në natën e ndërrimit të viteve. Gjatë ditëve të para të 2026, Tv Klan do të vijë me një ofertë të pasur televizive.

“Është bërë traditë tashmë, që ekrani i televizorit të jetë ai pjesëtari plus në familjen e çdo shqiptari që ndjek Tv Klan, e sidomos gjatë festave të fundvitit. Më datë 1 janar do të ketë një premierë ekskluzive të filmit më të bujshëm dhe më të ndjekur në kinematë shqiptare, që është ‘Njerëz dhe Fate 2’. Drama njerëzore e bazuar në serialin e mëparshëm ‘Njerëz dhe Fate’ dhe me aktorët e mirënjohur Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Eni Jani, Gentian Zenelaj e shumë të tjerë”, thotë drejtori i Programacionit në Tv Klan, Albert Dumani.

“Më datën 2 janar në mbrëmje, në orën 22:30, do të transmetojmë spektaklin e vitit që u xhirua në Kaninë, ‘Yjet në Kaninë’. Kështu, Vera Grabocka, së bashku me konstelacionin e famshëm të yjeve, si Timo Flloko, Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho do të na shoqërojnë në mbrëmjen e 2 janarit”, vijon Dumani.

Tv Klan hyn në vitin e ri me një paketë të pasur dhe të përzgjedhur filmike, me prodhimet më të suksesshme kinematografike, nga Netflix, kinemaja turke dhe Hollywood, që do të transmetohen çdo mbrëmje dhe mesditë nga 1 deri më 3 janar.

“Gjatë programit special të festave në këto 3 ditë do të kemi edhe transmetimin, premierë ekskluzive të një pakete filmash që kanë bërë xhiron e tyre në kinematë botërore, por që tani vijnë ekskluzivisht dhe premierë në Tv Klan. Historitë më të bukura të dashurisë, komedisë romantike, së bashku me yjet përkatës që janë bërë shumë të famshëm në kinema, tashmë shfaqen premierë absolute në Tv për herë të parë gjatë këtyre ditëve të festave të fundvitit”, shton Dumani.

Ndërsa programet më të dashura të ekranit Klan do të vijojnë edhe gjatë këtyre ditëve.

“Programet e strukturës, si Rudina, Stop apo E Diela Shqiptare, nuk do të kenë ndërprerje të transmetimit, por ata kanë menduar, krijuar dhe prodhuar një program festiv enkas për këto ditë festash”, shton më tej drejtori i programacionit të Tv Klan.

Festat do të vazhdojnë duke bashkuar publikun para ekranit, me një program të përzgjedhur enkas për t’i festuar dhe për të thënë ‘Gëzuar’ me emocionet më të mira.

Tv Klan

/tvklan.al