Mbrëmjen e së premtes, Amfiteatri antik do të shndërrohet në një skenë të artit bashkëkohor me festivalin e ri multidisiplinar TAMOM.

Për herë të parë në Durrës, do të prezantohet performanca “Nga Errësira në Dritë”, që sjell një frymë të re në jetën kulturore të qytetit, duke bashkuar lëvizjen, prezencën dhe krijimtarinë artistike pa kufij.
Një shfaqje e dansit bashkëkohor, kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.

Aktiviteti realizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin artistik të Edi Blloshmit.

Ky është edicioni i parë i një festivali që synon të kthehet në një ngjarje të përvitshme kulturore.

Mbrëmjen e 11 korrikut, në skenën historike të Amfiteatrit do të ngjiten tre vepra koreografike nga emra të njohur botërisht: Russell Maliphant nga Britania e Madhe me Critical Mass, Mauro Bigonzetti (Itali) me Cantata dhe Erion Kruja (Shqipëri) me Intricate Threads of Humanity.

Ngjarja e parë në llojin e saj do të vijë si një udhëtim artistik që premton emocione të veçanta për publikun vendas dhe të huaj, për të cilët hyrja është e lirë.

Tv Klan

/tvklan.al