Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) tha për Radion Europa e Lirë se ka nisur një hetim lidhur me thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar pak ditë më parë në Kumanovë.
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër” ishin disa nga parrullat e dëgjuara.
“Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit,” tha FIBA.
Federata gjithashtu dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi.
Edhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Sipas Kodit Penal, për ata që nxisin intolerancë kombëtare parashikohet dënim deri në pesë vjet burg.
Reagime të forta ka pasur edhe nga politika dhe federatat në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, i cili e kishte ndjekur nga afër ndeshjen e basketbollit, dënoi thirrjet antishqiptare.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
