Ndeshjet e Kupës së Botës mund të përballen me vonesa të gjata nëse ndërpriten nga kushte të rënda atmosferike, pasi FIFA nuk ka një afat të përcaktuar në rregulloret e saj për ta ndërprerë përfundimisht një ndeshje. 

Sipas protokollit amerikan për stuhitë me bubullima, një ndeshje duhet të pezullohet menjëherë nëse zbulohet rrufe ose shkarkim elektrik brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi.

Lojtarët largohen nga fusha dhe strehohen në dhomat e zhveshjes, ndërsa tifozët evakuohen në zona të sigurta brenda stadiumit.

Pasi të jetë regjistruar një goditje rrufeje brenda kësaj distance prej 13 kilometrash, nis një numërim mbrapsht prej 30 minutash. Nëse këto 30 minuta kalojnë pa u regjistruar goditje të tjera rrufeje, ndeshja mund të rifillojë.

Megjithatë, nëse ndodh një tjetër goditje rrufeje gjatë këtij intervali 30-minutësh, numërimi rikthehet në zero dhe do të vazhdojë të riniset sa herë që regjistrohet një goditje e re, derisa të kalojnë 30 minuta pa asnjë rrufe të zbuluar.

Muajin e kaluar, organi qeverisës i futbollit botëror publikoi një deklaratë të detajuar mbi ndikimin që kushtet e pafavorshme atmosferike mund të kenë në turne.

“Ekipi i FIFA-s për gatishmërinë ndaj emergjencave takohet rregullisht me autoritetet kombëtare meteorologjike dhe të menaxhimit të emergjencave në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, si dhe me partnerët në të 16 qytetet pritëse. Stadiumeve u kërkohet të mbajnë procedura të forta për menaxhimin e rrezikut dhe evakuimin, duke përfshirë protokollet për rrufetë dhe motin e rëndë, në përputhje me legjislacionin lokal dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.

Deklarata shton se FIFA do të monitorojë “kushtet në kohë reale” duke “integruar monitorimin e Temperaturës së Globit me Lagështi dhe Indeksit të Nxehtësisë duke theksuar se do të jetë “e gatshme të zbatojë protokollet ekzistuese të emergjencës në rast se ndodhin fenomene ekstreme atmosferike.

Gjatë Kupës së Botës për Klube verën e kaluar, e cila u zhvillua në Shtetet e Bashkuara, disa ndeshje u vonuan për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Ndeshja Chelsea-Benfica në Charlotte zgjati plot 4 orë e 38 minuta pasi u ndërpre nga ajo që FIFA e përshkroi si “mot i rëndë në zonë”.

Klan News

/tvklan.al