Në Filipine është evidentuar rasti i parë për këtë vit me virusin “mpox”, i njohur ndryshe si lija e majmunit.

Ky rast në Filipine është i pari që nga Dhjetori i vitit të kaluar.

Pacienti është një 33-vjeçar filipinas, i cili nuk ka historik të udhëtimit jashtë Filipineve.

Departamenti i Shëndetësisë njoftoi se priten rezultatet e analizave për detaje më specifike të rastit.

Simptomat përfshinin ethe, skuqje në fytyrë, shpinë, pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka konsideruar virusin “mpox” një emergjencë globale pas shpërthimit në Kongo të Afrikës që kishte njohur përhapje në shtetet fqinje.

Forma e re e virusit “mpox” ka shkaktuar shqetësim global pasi duket se përhapet më lehtësisht nga kontakti i ngushtë mes njerëzve.

Javën e kaluar, edhe në Suedi u konfirmua një rast me linë e majmunit.

Kjo sëmundje shkakton simptoma të ngjashme me gripin. Zakonisht kalohet pa probleme, por mund të shkaktojë edhe raste fatale tek fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit me imunitet të dobët apo ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

/tvklan.al