Socialistë francezë, pjesë e koalicionit fitues të zgjedhjeve të së dielës, hynë të martën në Asamblenë Kombëtare.

Ligjvënësit, përfshirë ish-presidentin Francois Hollande dhe kreun e partisë, Olivier Faure, u zotuan të kalojnë çdo mosmarrëveshjeve me aleatët e tjerë të majtë, për të emëruar një kryeministër dhe për të qeverisur me sukses.

Olivier Faure, sekretari i parë i Partisë Socialiste: Ose ia dalim dhe në këtë rast mund të kemi zmbrapsur kërcënimin e së djathtës ekstreme për një kohë të gjatë, ose dështojmë dhe më pas marrim rrezikun, që t’i shohim të arrijnë një shumicë absolute.

Rezultati i papritur i zgjedhjeve të parakohshme e ka zhytur Francën në pasiguri politike pak para Olimpiadës së Parisit, pa një rrugë të qartë drejt një qeverie të qëndrueshme, e aftë për të miratuar ligje në një Parlament të fragmentuar.

Koalicioni “Fronti i Ri Popullor” i krahut të majtë (NFP) fitoi shumicën e vendeve në Asamblenë Kombëtare, por nuk arriti një shumicë absolute.

Udhëheqësit e frontit janë takuar disa herë pas dyerve të mbyllura që kur doli rezultati tronditës të dielën mbrëma, duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje se cili prej tyre duhet të jetë kryeministër dhe si duhet t’i qasen qeverisjes pa shumicë.

Jean-Luc Melenchon, udhëheqësi i së majtës radikale “Franca e papërkulur”, tha se qeveria duhet të zbatojë plotësisht programin e Frontit, i cili përfshin rritjen e pagës minimale, uljen e moshës së pensionit dhe kufizimin e çmimeve të karburantit, energjisë dhe disa artikujve ushqimorë.

Klan News