Represioni, konflikti dhe trazirat politike në vend frymëzuan dramën iraniane “A Bit of Light”, “Pak dritë”, thanë krijuesit e saj në Festivalin e Filmit në Venecia, duke përshkruar një shoqëri gjithnjë e më të mpirë nga tragjeditë e përsëritura.

Filmi i regjisorit Ali Asgari ndjek një mjek që planifikon t’i japë fund jetës së tij pasi arrestohet dhe i hiqet profesioni i tij mjekësor, vetëm për të rizbuluar arsyet për të vazhduar të jetojë gjatë një dite të fundit të kaluar duke vizituar familjen e tij.

“Nuk është vetëm çështje mpirjeje, është edhe çështje pafuqie, konkretisht, pafuqie përballë një qeverie që angazhohet në një shtypje të tillë saqë nëse thjesht postoj një protestë kundër ekzekutimeve në faqen time personale në Instagram, më thërrasin që të nesërmen”, pohoi aktori Misagh Zareh.

Regjisori, filmat e mëparshëm të të cilit janë shfaqur në Venecia, Kanë dhe Berlin, tha se titulli pasqyronte një besim se mbijetesa në Iranin bashkëkohor nuk varet nga shpresat e mëdha, por nga akte të vogla qëndrese që i ndihmojnë njerëzit të vazhdojnë të ecin përpara. “A Bit of Light” u xhirua në Teheran dhe Turqi, me disa nga aktorët e tij jashtë vendit.

“Për ata që prej nesh kanë jetuar nëpër represion dhe luftë, humbja dhe pikëllimi janë shoqërues të vazhdueshëm. Edhe tani, ndërsa qëndrojmë këtu, shumë regjisorë po thirren në gjykatë në Iran për t’u përgjigjur për një postim në Instagram. Miku ynë z. Panahi përballet me një vit burg, dhe kaq shumë iranianë janë në zi, duke vajtuar si represionin ashtu edhe luftën”, u shpreh skenaristi Shadmehr Rastin.

Regjisori Ali Asgari tha se donte të kapte kontradiktat e jetës në Iranin modern, ku tragjedia dhe normaliteti ekzistojnë krah për krah.

“Çdo person në vendin tonë përballet me sfida çdo ditë, të cilat janë të ndryshme nga pjesa tjetër e botës. Ne jetojmë në një vend ku çdo gjë që bëjmë bëhet një akt politik, prandaj mund të mendosh se ndonjëherë, edhe vetëm të kesh qasje në internet mund të bëhet një akt politik. Prandaj, kinemaja është një mjet i fuqishëm rezistence, gjithashtu për t’i dhënë energji audiencës”, deklaroi Asgari.

“Pak dritë” është një nga 21 filmat që konkurrojnë për çmimin Luani i Artë të Venecias, i cili jepet të shtunën.

Klan News

/tvklan.al