Një nga prodhimet më të pritura të kinemasë shqiptare, seriali “Prokurori” (The Prosecutor), do të shfaqet për herë të parë në Tiranë më 10 Tetor.

Ky serial, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, përqendrohet te lufta e një prokurori të ndershëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit politik.

Ajo që e bën këtë serial të veçantë është pjesëmarrja për herë të parë në një film shqiptar e aktorit të famshëm hollivudian Danny Glover, i njohur për rolet e tij ikonike në filma si Lethal Weapon, The Color Purple dhe Saw.

Në serial, Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet fuqimisht reformën në drejtësi në Shqipëri.

Për adhuruesit e kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, biletat kanë dalë tashmë në shitje, dhe mund të blihen online ose fizikisht në kinemanë Cineplexx në Shqipëri dhe Kosovë.

Kjo është një mundësi unike për të parë një bashkëpunim të rrallë mes kinemasë shqiptare dhe yjeve të Hollywood-it.

Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë në Tiranë dhe më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit dhe më gjerë./tvklan.al