Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga territoret e aneksuara nga Moska për t’u futur në NATO. Kështu shkruan prestigjozja “Financial Times” që thotë se kjo mund të jetë një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës.

Modeli i dy Gjermanive për Ukrainën është diskutuar në qarqet e politikës së jashtme për më shumë se 18 muaj. Sipas këtij modeli pjesa e kontrolluar nga Kievi do të anëtarësohet në NATO, ndërsa rajonet lindore nën kontrollin e Moskës të mbahen de-facto, por jo ligjërisht nga Rusia.

Një diplomat perëndimor, i cituar në mënyrë anonime nga FT thotë se një dorëzim i tillë i përkohshëm i territorit është e vetmja mundësi e mundshme që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s.

Përkrahësit e idesë argumentojnë se kjo ide do ta mbyllte konfliktin aktual dhe do të inkurajonte Rusinë të kthehej në tryezën e bisedimeve.

Ideja e “NATO-s në këmbim të territoreve”, megjithatë, ka vështirësi në zbatim, pranon “Financial Times”, si për shkak të pozicionit të Rusisë, e cila është kategorikisht kundër anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, dhe për shkak të faktit nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s janë të gatshme ta bëjnë këtë.

Klan News