Teksa sezoni i festave të fundvitit po afron dhe fëmijët në mbarë botën kanë nisur të mendojnë për dhuratat që do t’i kërkojnë Babagjyshit, Finlanda ka ndërmarrë një nismë të veçantë për t’u siguruar që letrat e tyre të mbërrijnë në adresën e duhur.

Shërbimi postar finlandez ka nisur një fushatë ndërkombëtare për të korrigjuar atë që e cilëson si një nga ngatërresat më të mëdha të adresave në botë. Mesazhi është i qartë: Babagjyshi nuk jeton në Polin e Veriut por në Rrethin Arktik të Finlandës.

Fushata synon veçanërisht vende si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, ku besohet gjerësisht se shtëpia e Babagjyshit ndodhet në Polin e Veriut. Në kuadër të saj, në sheshin Leicester, në qendër të Londrës, është vendosur një kuti e posaçme postare, ku fëmijët dhe të rriturit mund të hedhin letrat e tyre. Kuti të ngjashme do të vendosen edhe në Nju Jork dhe Toronto, për t’i dërguar mesazhet drejtpërdrejt në fshatin e Babagjyshit në Finlandë.

“Duam të sigurohemi që sa më shumë njerëz në botë të njohin adresën e saktë të Babagjyshit. Shumë mendojnë se ajo ndodhet në Polin e Veriut, por në të vërtetë është në Finlandë, në Rrethin Arktik”, tha Jenni Ihatsu.

Sipas saj, letrat nuk humbasin domosdoshmërisht, por ndonjëherë marrin një rrugë më të gjatë përpara se të mbërrijnë në destinacion. Me afrimin e Krishtlindjeve, fluksi i tyre rritet ndjeshëm, duke arritur në qindra mijëra letra në ditët pranë festës. Në këto mesazhe, fëmijët ndajnë dëshirat, shpresat dhe listat e lodrave që duan të gjejnë nën pemën e Krishtlindjes.

Për shumë prej tyre, dërgimi i letrës është një nga momentet më emocionuese të pritjes së festave. Organizatorët e fushatës theksojnë se është e rëndësishme që çdo mesazh të mbërrijë në adresën e duhur dhe të lexohet, pasi kjo traditë mbart një domethënie të veçantë jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit në vende të ndryshme të botës.

Zyra postare e Babagjyshit në Rovaniemi është një degë zyrtare e shërbimit postar të Finlandës dhe funksionon gjatë gjithë vitit. Gjashtë ndihmës të Babagjyshit, të njohur si kukudhët e tij, merren me përpunimin e letrave, ndërsa gjatë sezonit të Krishtlindjeve stafi shtohet në rreth 20 punonjës.

Çdo vit, kjo zyrë merr afërsisht 500 mijë letra nga e gjithë bota, ndërsa në ditët më të ngarkuara numri mund të arrijë deri në 30 mijë brenda një dite. Gjatë viteve, në adresën zyrtare të Babagjyshit kanë mbërritur më shumë se 25 milionë letra nga mbi 200 vende të botës.

Një traditë që, edhe në epokën e mesazheve digjitale, vazhdon të ruajë magjinë e saj, duke i dhënë Krishtlindjeve një prej simboleve më të dashura të fëmijërisë.

/tvklan.al