Fincantieri, kompania 230-vjeçare e prodhimit të anijeve tregtare dhe ushtarake, do të ketë kantierin e saj më të ri në Pashaliman. Marrëveshja e nënshkruar në godinën qeveritare në Tiranë parashikon që bashkëpunimi mes Fincantier-it dhe kompanisë shtetërore Kayo të nisë me ndërtimin e dy anijeve për flotën detare shqiptare, duke e çuar në 7 totalin e anijeve që Forcat e Armatosura kanë në dispozicion. Më pas kantieri do të vijojë me prodhimin e anijeve për eksport.
Kreu i Kayo-s zbulon se negociatat për arritjen e kësaj marrëveshjeje nuk kanë qenë shumë të lehta. Presidenti i Fincantier-it flet për rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi. Ministri i Mbrojtjes zbulon disa pika konkrete të marrëveshjes.
“Modeli i biznesit është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të Fincantier-it. Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri”, thotë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Pjesa më e madhe e të punësuarve do të vijë nga shkolla industriale e Vlorës, siç lajmëron kryeministri.
“Vajzat dhe djemtë e shkollës industriale të Vlorës do të jenë të parët që do të kontaktohen dhe do të ftohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur për të qenë pjesëmarrës të kësaj shoqërie të re ekselence në territorin e tyre”, tha kryeministri Rama.
Marrëveshja sjell edhe përfitime konkrete ekonomike sipas kryeministrit, i cili thotë se pjesë e saj është edhe bashkëpunimi me kompaninë tjetër italiane, lider në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, Leonardo, presidenti i së cilës ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit.
“Është me të vërtetë një ëndërr për Shqipërinë dhe për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, si dhe për ekonominë industriale të vendit. Ndërkohë, falënderoj përfaqësuesit e Leonardo-s për marrëveshjen për të përforcuar në mënyrë shumë të kompletuar mbrojtjen tonë, si nga ana detare, por edhe nga ana tokësore, me sistemin kundër raketave dhe sistemin e mbrojtjes në det”.
“Është vetëm fillimi. Shpresoj që bota të përmirësohet dhe që luftërat të përfundojnë, por ndërkohë duhet të përshtatemi për të pasur një mbrojtje dinjitoze dhe gjithçka që nevojitet për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël, por krenar në Aleancën Transatlantike, ku ne bëjmë pjesë”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 