Në Europë disa kisha hapën dyert për myslimanet

Si në këto ditë pandemie, xhamia e madhe e Mekës nuk ka qenë kurrë me kaq pak besimtarë të pranishëm në faljen e ditës së Fitër Bajramit.

Ndalimi i fluturimeve nga jashtë ashtu si në gjithë botën, ka penguar ardhjen e pelegrinëve të huaj. Mëngjesin e kësaj të diele, në xhami ishin të pranishëm një numër i kufizuar besimtarësh, të pozicionuar konform rregullave të distancimit social.

Në pjesën më të madhe të vendeve me shumicë myslimane, qytetet ishin të zbrazura. Vetëm pak kalimtarë qarkullonin rrugëve, në dallim nga vitet e tjera kur sheshet mbusheshin nga besimtarët që faleshin.

Në Gjermani e vende të tjera të Europës, disa kisha hapën dyert për faljen e besimtarëve myslimanë që nuk mundën ta kryenin ritualin në xhamitë ku lejohej një numër i kufizuar besimtarësh, për shkak të distancës sociale.

Megjithatë, pavarësisht pandemisë në vende si Afganistani e Bangladeshi, në ditët e fundit të Ramazanit nuk munguan grumbullimet masive për pazaret e ditës më festive të vitit për besimtarët myslimanë që shënon fundin e muajit të mundimshëm të agjërimit.

Tv Klan