Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka përgëzuar Listën Studentore për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke vlerësuar pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në procesin demokratik.
Në reagimin zyrtar, MEPJ thekson rëndësinë e votës së lirë dhe të angazhimit qytetar si instrumente për ndryshimin politik.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Koalicionit Shqiptar dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët, sipas projeksioneve paraprake, janë në rrugën e sigurimit të dy mandateve parlamentare, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.
Shqipëria nënvizon se përfaqësimi shqiptar duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të komunitetit. Sa i përket marrëdhënieve rajonale, Tirana kërkon angazhim konstruktiv të Serbisë në dialogun me Kosovën, zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe hapa konkretë drejt paqes, bashkëpunimit dhe integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Postimi i Ministrisë së Jashtme
Shqipëria përgëzon Listën Studentore për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe qytetarët për pjesëmarrjen e gjerë në procesin demokratik. Zhvillimet në Serbi dëshmojnë rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik. Energjia qytetare që gjen përfaqësim përmes institucioneve është një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve.
Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë shënuar një rezultat të rëndësishëm në këto zgjedhje. Sipas projeksioneve paraprake, dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur. Ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime.
Në këtë kapitull të ri politik për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës mbetet një përgjegjësi thelbësore. Shqipëria pret një angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore. Ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja edhe për paqen dhe bashkëpunimin në rajon.
Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.












Botërori 2026 
