Lista Studentore konsiderohet si forcë politike e paprecedentë në Serbi.

Lëvizja nuk ka një kryetar të vetëm. Studentët organizohen përmes plenumeve ku vendimet merren kolektivisht.

Megjithatë, për zgjedhjet ata mbështetën një listë ekspertësh e profesorësh, ku i pari në listë është kardiologu Ilija Srdanoviq.

Ndryshe nga orientimi reformator në politikën e brendshme, Lista Studentore nuk ka një qëndrim që dallon për Kosovën.

Ata e konsiderojnë atë pjesë të pandashme të Serbisë, kërkojnë rishqyrtimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, synojnë rikthimin e çështjes së statusit në OKB dhe marrjen e vendimeve në konsultime me serbët e Kosovës.

Brenda Listës Studentore ekzistojnë rryma të ndryshme ideologjike dhe gjeopolitike, duke përfshirë krahun pro-evropian, atë sovranist me anim nga Rusia dhe një qasje pragmatike-teknokrate ndaj SHBA-së dhe Perëndimit.

Këto nuanca u ngrinë përkohësisht gjatë fushatës për të ruajtur unitetin rreth kauzës së përbashkët kundër korrupsionit dhe regjimit të Vuçiçit.

Janë pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, por e kushtëzojnë me një referendum popullor, ndërsa kundërshtojnë ashpër sanksionet ndaj Rusisë.

Për Ukrainën, ndonëse ia respektojnë integritetin territorial, parim që e bazojnë mbi interesin për Kosovën, Lista Studentore është zotuar të ndalojë eksportet e armëve serbe drejt Kievit dhe Izraelit.

/tvklan.al